Mitrovica eliminohet nga Championsi, luan për vendin e tretë në grup

Kampionia e Kosovës në futboll e femrave, Mitrovica, është eliminuar nga raundi kualifikues i Ligës së Kampionëve. Në ndeshjen gjysmëfinale të grupit të shtatë, të luajtur të mërkurën në Greqi, Mitrovica është mposhtur bindshëm nga kampionia e Norvegjisë, Valerenga, me rezultatin 5:0.

Janni Thomsen (29’, 58’) dhe Elise Thorsnes (76’, 88’, 93’) shënuan për skuadrën norvegjeze. Këtë edicion raundi kualifikues luhet në formë grupi, përkatësisht me gjysmëfinale dhe finale. Vetëm fituesi i finales avancon në raundin e dytë kualifikues. Valerenga në finale do të përballet me PAOK-un, që në gjysmëfinale e mposhti me shifrat 6:0 ekipin nga Moldavia, Agarista Anenii Noi. Skuadra mitrovicase do të përballet me ekipin nga Moldavia për vendin e tretë në grup. Kjo ndeshje zhvillohet të premten, po ashtu në Greqi.

Në fakt, Mitrovica pati një paraqitje shumë të mirë në pjesën e parë, ku pati disa raste shënimi që nuk arriti t’i konkretizoj. Në të vërtetë, ekipi kosovar shënoi gol qysh në minutën e parë të ndeshjes nëpërmjet sulmueses së krahut, Eli Janovska që përfitoi nga topi i dëbuar i portieres kundërshtare dhe realizoi nga afërsia. Por, goli u anulua për shkak të pozitës jashtë loje. Trajnerja e Mitrovicës, Suada Jashari, pas humbjes dhe eliminimit në gjysmëfinale, synon ta sigurojë vendin e tretë në grupin e shtatë. Jashari ka pranuar se ekipi i saj pati një paraqitje të mirë në pjesën e parë, por jo edhe në të dytën, ku pranoi katër gola.

“Mendoj se luajtëm shumë mirë në pjesën e parë, ku kemi mundur të kalonim edhe në epërsi. Po të kishim shënuar, besoj se ndeshja do të kishte pasur krejtësisht një rrjedhë tjetër. Menduam që në pjesën e dytë të rikthehemi në rezultat, pasi ishim të bindur që ta ndëshkojmë kundërshtarin pas disa gabimeve që bënë, por gjërat shkuan keq për ne”, u shpreh Jashari, që pastaj foli edhe për ndeshjen e ardhshme. “Në lojën e dytë pres diçka më shumë, të përmirësohemi dhe të marrim veten. Synimi është ta fitojmë ndeshjen dhe të përfundojmë në pozitën e tretë në grup. Pres reagim të ekipit”.

Skuadra e Mitrovicës nuk kishte bërë edhe shumë përforcime për Evropë. Ndërsa në Greqi udhëtoi me dy mungesa të rëndësishme. Një ditë para nisjes, pas testeve të bëra të koronavirusit, Blerta Shala dhe Donjeta Halilaj rezultuan pozitive dhe nuk ishin në gjendje të ishin pjesë e ekipit. Shala e Halilaj janë dy prej mesfushoreve kryesore të Mitrovicës. Për Mitrovicën kjo është hera e katërt rresht që paraqitet në Ligën e Kampionëve. Fillimisht në edicionin 2018/19 kishte humbur tri ndeshjet në raundin kualifikues. Në edicionin 2019/20 fitoi të tri ndeshjet në raundin kualifikues, ndërsa në fazën nokaut u përball me gjigantin gjerman, Wolfsburg, dhe i humbi dy ndeshjet me rezultat të thellë. Vitin e shkuar kishte telashe me viza dhe humbi 2:0 nga St. Poelteni i Austrisë në raundin kualifikues. Ndërsa, sa i përket nivelit vendor, Mitrovica ka koleksionuar të gjithë trofetë në katër vjetët e fundit.