Misteri i sulmeve me vezë, pas autobusëve urban dëmtohet edhe biblioteka në Prishtinë

Edhe përkundër faktit se kishte përfunduar festa e “Halloweenit”, sulmet me vezë ndaj autobusëve të Trafikut Urban kishin vazhduar edhe një ditë më pas. Si pasojë disa dritare të tyre kishin mbetur të thyera e kishte reaguar edhe kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Megjithatë duket se të gjithë këto sulme nuk ndërlidhen fare me “Natën e Shtrigave”.

Dikush mbrëmjen e të martës kanë sulmuar edhe një minibibliotekë në lagjen Dardania në Prishtinë, e cila u përurua dje, raporton Gazeta Express.

E për një dëmtim të tillë që i është bërë kësaj biblioteke kanë reaguar edhe nga Organizata Joqeveritare, ETEA, të cilët kanë bërë thirrje për qytetarët që të mos i dëmtojnë pronat publike.

“Mbrëmë gjatë mbikëqyrjes së minibibliotekës që u përurua gjatë ditës në lagjën e Dardanisë në Prishtinë, kemi vënë re se minibiblioteka është sulmuar me vezë, siç shihet në fotografitë e bashkangjitura.Lusim qytetarët që nëse nuk përdorin minibibliotekat së paku të mos i keqpërdorin ato. Dhe, lusim të gjithë lexuesit/et e lagjës Dardania në Prishtinë, dhe jo vetëm, që të reagojnë ndaj kujtdo që tenton t’i dëmtojë minibibliotekat si dhe të na njoftojnë për çfardo parregullësie në raport me minibibliotekat”, thuhet në reagim.

Ndërkohë nga kjo organizatë kanë treguar se së shpejti do të marrin pjesë edhe në hapjen e një minibiblioteke në lagjen Ulpiana të Prishtinës.

“Ndërsa ne, shihemi së shpejti në ceremoninë e hapjes së minibibliotekës në lagjen Ulpiana, Prishtinë.Minibibliotekat do të ndërtohen dhe edhe nëse rrënohen ato do të rindërtohen, derisa rrënuesit të bëhen lexues”, përfundon reagimi.

loading…