Avokati i Thaçit, Luka Misetiq, e ka lexuar një përmbledhje të dëshmitarit Jock Covey.

“Jock Covey ka shërbyer në Kosovë si zëvendësi kryesor i përfaqësuesit të sekretarit Bernard Kouchner, nga korriku 1999 deri në janar 2001. Covey ka luajtur rol të rëndësishëm në UNMIK, sipas Rezolutës së OKB-së 1244 në Kosovë dhe ka punuar ngushtë me figura të ndryshme, duke përfshirë Thaçin. Ai ka dhënë prova për rolin e Thaçit për të ndihmuar stabilizimin e Kosovës, duke folur kundër akteve të dhunës, duke kryer demilitarizimin e UÇK-së, duke mbështetur krijimin e Shërbimit Policor të Kosovës. Konstatimet e tij kanë bërë që të arrijë në përfundimin se Thaçi nuk ka pasur autoritet real mbi UÇK-në dhe nuk ka qenë në qëndrim të organizojë ose të ndalojë dhunën gjatë verës 1999 dhe se roli dhe ambiciet e tij ishin të një politikani të aftë për të punuar me UNMIK-un”, ka thënë Misetiqi.