Mirlind Kryeziu thotë se Kosovën e presin tri ndeshje të vështira

Tri ndeshjet që do t’i luajë Kosova në muajin shtator ndaj Gjeorgjisë, Greqisë dhe Spanjës, i ka vlerwsuar të vështira mbrojtësi Mirlind Kryeziu.

Futbollisti që luan te Zurichu në Zvicër, mori ftesë nga Kosova pas gati dy vjetësh.

“Më ka munguar ftesa në dy vjetët e fundit, pasi nuk kisha ftesë. Tani e kam nisur mirë sezonin me Zurichun dhe jam gëzuar shumë që kam marr ftesën. Besoj që të tria ndeshjet do të jenë të vështira dhe duhet të shkojmë hap pas hapi. Mendoj që ndeshja e parë ndaj Gjeorgjisë është shumë e rëndësishme. Shpresoj që ta bëjmë një lojë të mirë dhe ta fitojmë takimin. Deri me tani gjithçka ka shkuar mirë. Në stërvitjen e parë kemi punuar në dy grupe, kurse në stërvitjen e dytë kanë qenë të gjithë lojtarët”, deklaroi Kryeziu.

Mbrojtësi 24-vjeçar ende nuk ka debutuar me fanellën e përfaqësueses kosovare, ani pse ka qenë i ftuar disa herë.