Në kuadër të Tetorit Rozë, këshilltarja e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, Mirjeta Durmishi, ka bërë thirrje për ndërgjegjësim dhe kontrolle të rregullta shëndetësore.

Përmes një postimi, Durmishi ka theksuar rëndësinë e zbulimit të hershëm të sëmundjeve, duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos i shtyjnë kontrollet për një ditë tjetër.

“Ndonjëherë themi: ‘Do të shkoj nesër…’, ‘Kur të kem kohë…’, ‘S’kam asgjë…’. Por shëndeti nuk duhet të presë”, ka shkruar Durmishi.

Ajo ka theksuar se kontrollet e rregullta mund të ndihmojnë në zbulimin e hershëm të sëmundjeve dhe, në raste të caktuara, mund të bëhen vendimtare për shpëtimin e jetës.

“Ti je e rëndësishme. Për veten tënde. Për fëmijët e tu. Për familjen tënde. Për ata që të duan dhe nuk mund ta imagjinojnë jetën pa ty”, ka shkruar ajo.

Durmishi u ka bërë thirrje veçanërisht grave që, gjatë Tetorit Rozë, të mos e lënë pas dore kujdesin për shëndetin dhe të kryejnë kontrollet e nevojshme.

“Mos premto se do ta bësh ‘një ditë’. Gjeje kohën. Shko kontrollohu. Kujdesu për veten”, ka përfunduar ajo, duke e mbyllur mesazhin me thirrjen: “Mos e shtyj. Kontrollohu sot.”