Dyert e Kampit Nacional të Federatës së Futbollit të Kosovës në Hajvali janë gjithmonë të hapura për bashkatdhetarët tanë.
“Federata e Futbollit e Kosovës fton të gjithë futbollistët dhe futbollistet nga Diaspora, të të gjitha kategorive, të cilët gjatë pushimeve verore qëndrojnë në Kosovë, ta shfrytëzojnë Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali për zhvillimin e seancave të tyre stërvitore”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Pavarësisht se në cilën ligë aktivizohen apo cilën kombëtare e përfaqësojnë, Kampi Nacional është i hapur për të gjithë ata që këto ditë vere i kalojnë pranë familjeve të tyre në Kosovë. Synimi ynë është t’ju ofrojmë kushte profesionale stërvitore dhe t’i mirëpresim gjithmonë në shtëpinë e futbollit të Kosovës.
Të gjithë të interesuarit për stërvitje në Kampin Nacional të FFK-së duhet të dërgojnë një kërkesë tek zyrtari i FFK-së në adresën elektronike [email protected], duke specifikuar:
•datën ose datat e dëshiruara për stërvitje;
•orarin e preferuar;
•numrin e pjesëmarrësve;
•vitin e lindjes
Për grupet me më shumë se pesë pjesëmarrës, Federata e Futbollit e Kosovës, përmes trajnerëve të saj, do të ofrojë asistencë profesionale gjatë seancave stërvitore, në përputhje me orarin dhe kapacitetet e Kampit Nacional.
Të gjithë të interesuarit i mirëpresim me kënaqësi dhe njëherësh ju dëshirojmë qëndrim sa më të këndshëm në atdhe!







