The Financial Times

Mirë se vini në epokën e akterit joshtetëror

As Kina dhe Rusia nuk do të dominojnë në botën post-amerikane.

Burimi: The Financial Times


Nuk mund të mbahemi më me shpresën se ishte falsifikim i madh [deepfake] i gjeneruar nga AI-ja [inteligjenca artificiale]. Vjeshtën e kaluar, në një skenë, Rishi Sunak me të vërtetë e intervistoi Elon Muskun. Për ta përsëritur edhe një herë këtu: në një ngjarje publike, shefi i qeverisë merr një rol të vogël para një biznesmeni. Sado provokative dhe sokratike ishin pyetjet e tij (“Për çfarë jeni veçanërisht të emocionuar?”), Sunak e poshtëroi zyrën e vet.

Por, e ndiqte trendin e ngjarjeve botërore. Musku kryesisht është shembulli beninj i një tendence më të gjerë: rrjedhja e pushtetit nga shteti. E ka një program hapësinor më të madh se të gjithë – përveç disa qeverive kombëtare. Përmes satelitëve të tij Starlink ka pasur gisht në peshoren e luftës në Ukrainë.

Ana më e errët e këtij fenomeni shfaqet në Lindjen e Mesme. As Hamasi dhe as hutët nuk e përfaqësojnë shtetin. Megjithatë, njëri e ka kthyer përmbys politikën e rajonit dhe tjetri herë pas here e ka vënë dorën në një pikë kontrolli të tregtisë botërore.

Cilido entitet që gjatë fundjavës vrau tre ushtarët amerikanë në Jordani, nuk e përfaqëson ndonjë fuqi sovrane – edhe nëse ka mbështetjen e njërit shtet, Iranit, i cili vetë ka shkëmbyer zjarr me forcat e parregullta sunite në Pakistan. Katër muaj më parë, ShBA-ja shpresonte të mos e kishte prioritet Lindjen e Mesme. Tani është në ankth që të jetë e sigurt se asnjë terrorist atje nuk do të jetë Gavrilo Princip [serbi i cili më 1914 vrau trashëgimtarin e fronit austro-hungarez] i këtij shekulli: autori i një lufte më të gjerë.

Sipas dëshmive aktuale, fituesi i botës post-amerikane nuk është Kina. Është akteri që ka ndikim të rëndësishëm politik, por që nuk mbështetet nga shteti i caktuar [non-state actor]. Qofshin të mirë, të këqij apo të paaftë, këta lulëzojnë atëherë kur asnjë komb nuk është aq i fortë sa të komandojë tablonë globale apo rajonale.

Shtetet e Bashkuara tani e përbëjnë rreth një të katërtën e prodhimit nominal ekonomik botëror. Kina ka diçka më pak dhe, në masën që mund t’i referohemi si njëjës, aq ka edhe BE-ja. Para se të arrijmë te [Antonio] Gramshi ynë, kjo gjendje nuk është as një “interregnum” në të cilën “e vjetra po vdes dhe e reja nuk mund të lind”. Rendi “i ri” botëror duhet të jetë më i fragmentuar, jo më pak, duke pasur parasysh faktin se në njëfarë mase India i bashkohet kategorisë më të lartë ekonomike. Duket gjithnjë e më e çuditshme të quash këtë shpërndarje të pushtetit si “multipolare”. Është “jopolare”.

Lindja e Mesme nuk është unike në kaosin e vet. (Në fakt, e ka një formë të çoroditur të ngjarjeve meqë akterët e tij joshtetërorë janë shpeshherë përfaqësues të kësaj apo asaj qeverie sovrane.) Ekuadori, dikur model i rendit në rajonin e vet, po i nënshtrohet bandave të drogës. Saheli është aq i mbushur me xhihadistë dhe banditë laikë saqë Franca – që nuk njihet për ndrojtjen në ish-kolonitë e veta – hoqi dorë nga një mision i gjatë kundër kryengritës atje. Ka migrim të parregullt dhe në shkallë të gjerë përgjatë kufijve jugorë të Evropës dhe të Amerikës. Sipas Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, numri i “grupeve të armatosura që paraqesin shqetësim humanitar” në botë ka tejkaluar shifrën 450 gjatë pesë vjetëve të fundit. Rreth 195 milionë njerëz jetojnë nën kontroll – qoftë të qëndrueshëm apo “të paqëndrueshëm” – të forcave të tilla informale.

Mbajeni mend, po e përjetojmë rikthimin e shtetit. Ardhjet e mëdha politike të dekadës së fundit – Brexit-it, Donald Trump, Xi Jinping – bënin me dije për dëshirën mbarëbotërore për kontroll sovran, pas disa dekadave të një trendi më të lirshëm. Një pjesë e kësaj është vërtetuar. Ka kontrollon shtetëror [dirigisme] në ekonomitë dikur liberale. Por, nëse disa shtete po forcohen brenda kufijve të vet (e disa jo, nga Jemeni deri te Suedia e torturuar nga krimi), ato janë gjithnjë e më pak në gjendje të mbështesin të tjerët diku tjetër. Asnjëri nuk ka ndikim të mjaftueshëm, madje edhe në kombinim me aleatët. Rezultat i kësaj është hapësira e paqeverisur.

Për një mijë vjet ka pasur pak ose aspak rritje ekonomike. Pastaj, nga fundi i viteve 1700 ekonomia lulëzoi. Çfarë ndodhi? Po, industrializimi, por edhe shteti modern i cili i ktheu tokat e ndryshme në tregje të integruara dhe e siguroi rendin brenda të cilit mund të ndodhte shkëmbimi tregtar. Shteti, nëse e përkufizojmë si diçka që ka monopolin e përdorimit legjitim të dhunës brenda një zone të caktuar, është aty me bujqësinë dhe energjinë elektrike – si disa ndër shpikjet më të mëdha të species njerëzore. Nëse po ia lëmë vendin forcave nënshtetërore, joshtetërore dhe antishtetërore, pasojat janë të tmerrshme për një pjesë të madhe të njerëzimit.

Pyetja është nëse ata që brohorasin fundin e atij rendi amerikan do ta shohin atë ashtu siç ishte gjithmonë: një lloj i së mirës publike globale. Irani? Nuk ka gjasa. Edhe Rusia, më tha dikur një spiun perëndimor, “humbjen e dyanshme e konsideron si fitore”. Por, ka shtete në kampin e pakënaqur, por jo mjaft armiqësor, që botën e decentralizuar mund ta mendojnë më të bukur si ide sesa si përvojë. /Telegrafi/