Kundërshtari nuk dihet

Miqësoren e 22 marsit Kosova do ta luajë në Prishtinë

Kosova do ta luajë në Prishtinë ndeshjen miqësore të 22 marsit.

Kështu ka bërë të ditur të hënën kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi.

Ai këto ditë do të takohet në Zvicër edhe me seleksionuesin Bernard Challandes për të diskutuar rreth kundërshtarit të mundshëm.

“Gjatë këtyre ditëve do të takohem me trajnerin Challandes. Ai vendos me kënd të hyjmë në bisedime, pasi kundërshtari i parë në kualifikime është Bullgaria dhe në miqësore duam të kemi kundërshtar të nivelit të njëjtë. Por ajo që ne dimë është se ndeshja do të luhet në Prishtinë, pasi e luajmë edhe ndeshjen e parë eliminatore dhe duhet të kursehemi nga udhëtimet”, ka thënë Ademi. Kosova është në Grupin A eliminator për “Euro 2020” me Anglinë, Çekinë, Bullgarinë dhe Malin e Zi.

Ndeshjen e parë e luan më 25 mars në Prishtinë kundër Bullgarisë.