MINT

MINT paralajmëron sërish gjoba për operatorët kabllorë që hezitojnë t’ua shkëpusin kontratat konsumatorëve

Operatorët kabllorë mund të gjobiten sërish nga Inspektorati i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) pasi nuk po ua shkëpusin kontratat konsumatorëve, përkundër një vendim të 5 shkurtit i cili i detyron ata ta bëjnë një gjë të tillë.

MINT ka konfirmuar për Ballkani.info se Inspektorati është duke verifikuar çdo ankesë të konsumatorëve, ndërsa ka paralajmëruar sërish gjoba për operatorët që nuk e përfillin vendimin.

“Inspektorati është duke verifikuar secilën ankesë të konsumatorëve e cila vërteton se kompanitë e lartcekura nuk iu kanë mundësuar shkëputjen e kontratës, me ç’rast do të konsiderohet se operatorët ekonomikë nuk kanë zbatuar obligimin ligjor të vënë nga Inspektorati i Tregut dhe do të ndërmerren masat konform ligjeve në fuqi”, thuhet në përgjigjen e MINT për Ballkani.info.

Nga ky institucion konfirmojnë se kanë pranuar shumë ankesa nga konsumatorët që operatorët kabllorë nuk po i lejojnë t’i shkëpusin kontratat.

“Përmes thirrjes pa pagesë në numrin 0800 11000 në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit që nga data e vendimit të MINT më 05.02.2024 ka pasur mbi 100 thirrje telefonike që janë ankuar konsumatorët të cilët kanë shprehur shqetësime për mos mundësinë e shkëputjes nga kontrata me operatoret kabllorë. Ndërsa, përmes sistemit të parashtrimit të ankesave me shkrim janë pranuar gjithsejtë 13 ankesa. Të gjitha këto ankesa janë dërguar te Inspektorati i Tregut për t’i trajtuar tutje”, kanë thënë nga MINT për Ballkani.info.

Më 19 janar të vitit 2024, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), kishte dënuar katër shpërndarësit e rrjetit kabllor në Kosovë me 100 mijë euro – Operatori “Artmotion” ishte dënuar me 64 mijë euro, “Kujtesa” me 26 mijë euro, “IPKO”, me 7 mijë euro dhe “Telkos”, me shumën 3 mijë euro.

Përmes një vendimi Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kishte detyruar operatorët kabllorë që t’iu lejonte qytetarëve shkëputjen e kontratës në rast se nuk i ofrojnë shërbimet në bazë të marrëveshjes.

Por, si duhet ndjekur hapat për ta shkëputur kontratën, MINT ka treguar për Ballkani.info.

“Që të parashtrohet ankesa e rregullt e kësaj natyre përmes Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit (sikurse platformës ‘konsumatori.rks-gov.net’), duhet të ofrohet kontrata e konsumatorit me operatorin, si dhe shpjegim / informacion rreth tentimit të shkëputjes së kontratës sepse janë shkelur kushtet kontraktuale. Rekomandohet konsumatorët që mundësisht të sigurojnë gjithashtu dëshmi komunikimi (elektronik apo çfarë do forme tjetër), ku është kërkuar shkëputja e kontratës për shkak të heqjes apo ndërrimit te kanaleve televizive”, thuhet në përgjigjen e MINT për Ballkani.info

Ndërsa, sqarime nga MINT janë dhënë edhe për ata që e kanë kontratën dhe e kanë parapaguar për 1 vit, por që shërbimet nuk i marrin në bazë të marrëveshjes.

“Ankesa të tilla dërgohen te Komisioni i Pavarur për Media dhe te Inspektorati”, thuhet në përgjigje të MINT.

“Kujtesa’, “IPKO”, “Telkos” e “ArtMotion” janë ankuar në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), për shkak të vendimin që i obligon këta operatorë që ta shkëpusin kontratën me konsumatorin kur nuk i ofrojnë shërbimet. 

Mirëpo, ankesa e këtyre operatorëve është refuzuar kanë konfirmuar nga MINT për Ballkani.info.

“Po ashtu pas vendimit të MINT të datës 02.05.2024 nëpërmjet Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, duke i obliguar operatorët kabllorë që të largojnë kushtet e padrejta në kontratë si dhe t’iu mundësojnë konsumatorëve shkëputjen e kontratës pa i obliguar të paguajnë pjesën e mbetur, ne kemi pranuar Ankesa nga 4 operatorët në fjalë. Ankesat e tyre ndaj Vendimit të inspektorëve janë refuzuar, prandaj mbetet në fuqi Vendimi i datës 05.02.2024, që qytetarëve-konsumatorëve iu lejohet shkëputja e kontratës”, thekson MINT-i.

Ballkani.info të martën ka raportuar se një qytetar, emër i njohur për redaksinë, nga Mitrovica kishte treguar se operatori ‘Kujtesa’, nuk e kishte lejuar ta shkëpus kontratën.

“Në ofertën të cilën e kam nënshkruar me ‘Kujtesën’, të gjitha programet e ‘Digitalb’-it kanë qenë, por pas shkëputjes së kontratës me ‘Digitalb’, janë larguar programet për të cilat kam paguar. Prandaj kam dashur ta shkëpus kontratën”, ka thënë ky qytetar. /Ballkani.info/

LEXO EDHE: