Ministrja e Drejtësisë

Ministrja Haxhiu tregon se çka u diskutua në takimin me krerët e institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka treguar se cilat janë çështjet që janë adresuar në takimin e grupit ndërministror dhe takimin me krerë të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë].

“Urgjentisht të bëhet nënshkrimi i kontratës për mbikëqyrjen elektronike, të bëhet po ashtu vlerësim i saktë i rrezikshmërisë në secilin rast. Të ashpërsohen dënimet për armëmbajtje pa leje, po ashtu të analizohet se si po bëhet pajisja me armë të ftohta. Gjithashtu prokuroria të hapë pozita për mbrojtës të viktimave në mënyrë urgjente, janë vetëm 22 mbrojtjës të viktimave për gjithë territorin e Kosovës, është shumë i vogël në raport më 200 raste në muaj të dhunës në familje që raportohen. Të adresohet secili lëshim që lidhet me lëshimin në procedura të rregullta të dhunuesve por po ashtu edhe të lëshohet udhëzues detyrues nga kryeprokurori i Shtetit për të gjithë prokurorët që trajtojnë rastet e dhunës në familje, që kur ka dyshime për dhunë në familje të mos ketë vendime për lëshim në procedurë të rregullt sepse shteti dhunuesin po e shndërron në vrasës, kur dhunuesi e sheh që po ledhatohet nga sistemi sigurisht që do ta përsëris veprën penale. Gjithashtu është e rëndësishme të avancohet politika ndëshkimore në asnjë prej rasteve të dhunës në familje nuk është shqiptuar dënimi maksimal, në nenin 248 thuhet se dënimi jepet më gjobë dhe burgim, kemi shumë raste kur dënimet janë nën minimumi që e parasheh kodi penal”, ka thënë ministrja Haxhiu.

Ajo ka shtuar se shumë shpejtë femicidi do të bëhet si vepër e veçantë penale në Kodin Penal

“Gjithashtu në rastet kur ka dhunë në familje dhe ka kërkesë urdhër mbrojtjës, tashmë ekziston mundësia që personi i dyshuar të largohet nga shtëpia dhe viktima të qëndrojë aty me fëmijët. Në të dy rastet problemet konsiderohet se kanë qenë përdorimi i substancave, Kosova fatkeqësisht nuk e ka një institucion që rehabiliton këta persona, prandaj për Ministrinë e Shëndetësisë, ndonëse janë duke punuar për këtë, del si obligim adresimi i këtij problemi, gjegjësisht ngritja e një institucioni që merret me rehabilitimin e personave që janë nën ndikim apo përdorues të substancave narkotike. Po ashtu shumë shpejt do ta procedojmë në kuvend ndryshimin që lidhet me armëmbajtjen pa leje dhe femicidin si vepër penale”, tha ajo në konferencë.

Ajo tha se institucionet duhet të pajisen me detektorë të sigurisë.

“Të gjitha institucionet që lidhen me përgjegjësitë për mbrojtjen e viktimave duhet të pajisen me detektorë të sigurisë. Nuk guxojmë të lejojmë situata ku një viktimë hyn në Qendrën për Punë Sociale dhe vritet, pra del e vrarë. Gjithashtu të mbështeten viktimat e dhunës për cështje të pagesës së qirasë në rast kur nuk kanë kulm mbi kokë.”