Ardian Bajraktari

Ministria e Drejtësisë thotë se në javët në vijim do të publikojnë pagesat e avokatëve të të akuzuarve në Speciale

Drejtori i Departamentit Ligjor në Ministrinë e Drejtësisë, Ardian Bajraktari, ndonëse nuk ka njoftuar për shumën e parave të kërkuara nga avokatët që po mbrojnë ish-krerët e UÇK’së, ai ka thënë se shifrat do të bëhen publike në javët në vijim.

Bajraktari në T7 ka thënë se pagesat do të bëhen publike përgjatë ditëve ose javëve në vijim.

Ai ka thënë se, deri më tani, ka pranuar tri kërkesa për ekzekutimin e pagesave të avokatëve të trupit mbrojtës në Tribunalin e Hagës.

“Edhe vendimi për klasifikimin e informacioneve që ndërlidhen me këtë çështje nuk na obligon ta ruajmë konfidencialitetin. Në javët në vazhdim, do njoftohet edhe opinioni publik, siç jemi zotu që Ministria e Drejtësisë do t’i bëjë publike shpenzimet. Deri më tash mund të them se tri kërrkesa nga ana e komisionit janë aprovuar. Kërkesa sipas kritereve që përcakton ligji për mbrojtje financiare. Për peshën e kërkesës dhe shumën e mjetëve, duhet të bëhet publike në javët në vijim”, ka deklaruar ai në Frontal.

Ndryshe, përfaqësuesit ligjor të të akuzuarve që po gjykohen në Hagë u patën ankuar, duke thënë se ende nuk kanë marrë para për punën që bëjnë nga Ministria e Drejtësisë.