Ministri Tahiri: Kodi Civil është produkti më i madh legjislativ pas Kushtetutës

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka theksuar se krahas Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, Kodi Civil ka qenë prioritet themelor.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri së bashku me Shefen e Zyrës së BE-së/ Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, hapën sot tryezën “Rruga drejt një Kodi Civil modern të Kosovës,” organizuar nga projekti i financuar nga Bashkimi Evropian “Mbështetje Kodit Civil – faza 2”, i cili po mbështetë Ministrinë e Drejtësisë.

Ministri Tahiri ka theksuar se krahas Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, Kodi Civil ka qenë po ashtu prioritet themelor, meqenëse është një prej produkteve legjislative më të mëdha pas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, njofton kumtesa.

“Në një rend liberal dhe demokratik siç po punojmë çdo ditë e më shumë për ta fuqizuar në Republikën e Kosovës, ekonomia e lirë e tregut dhe marrëdhëniet kontraktuale janë pjesa më fundamentale e këtij rendi. Garantues i tyre është padyshim sundimi i ligjit dhe siguria juridike, e cila nuk bën të kërcënohet nga zhvillimet dhe ndryshimet e shpeshta të ligjeve, shpesh herë akoma pa ju dhënë mundësia të vihen në zbatim në praktikë. Mbi këtë bazë, pra mbi nevojën që të garantojmë siguri juridike për çështjet që janë fundamentale për një rend liberal, ka qenë jashtëzakonisht e nevojshme një kodifikim i të drejtës civile” ka theksuar ministri Tahiri.

Ministri Tahiri ka shprehur bindjen se Kodi Civil do të ofroj dispozita të përshtatshme për krijimin e një ambienti ekonomik ku kontrata ka fjalën e fundit në zbatim.

“Ky Kod ka mundësuar zgjidhje të reja dhe më të përshtatshme të bazuara në premisat themelore të rendit liberal, siç janë liria, pacenueshmëria e lirisë individuale të zgjedhjes, barazia para ligjit, liria kontraktuale, dhe mbi të gjitha pacenueshmëria e pronës. Një gjë e tillë do t’iu ndihmojë qytetarëve të Republikës së Kosovës të përfitojnë nga të drejtat e tyre. Gjyqtarët do ta kenë më të lehtë që të interpretojnë dispozitat si dhe këto norma të kodifikuara, do të ofrojnë dispozita të përshtatshme për krijimin e një ambienti ekonomik ku kontrata ka fjalën e fundit në zbatim” ka theksuar ministri Tahiri.

Po ashtu në njoftim thuhet se pas një pune dy vjeçare të ekspertëve, Draft Kodi Civil është i gatshëm që të dal në konsultime publike, para se të miratohet në Mbledhjen e Qeverisë dhe të dërgohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Shefja e Zyrës së BE-së/ Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka theksuar se përfundimi i draftimit të Kodit Civil dhe publikimi për konsultime me publikun, është arritje e madhe në përafrimin e legjislacionit të Kosovës me vlerat evropiane.

Kodi Civil ka 5 pjesë: Pjesa e Përgjithshme, Libri për të Drejtën Familjare, Libri për Obligimet, Libri për të Drejtat Pronësore dhe Libri për Trashëgiminë. Këto libra përputhen me standardet e aplikueshme të Bashkimit Evropian dhe do mbështesin bashkëpunimin gjyqësor në çështjet civile – lokale dhe ndërkombëtare – me të gjithë partnerët përkatës, si gjyqësori, avokatët, noterët, odat ekonomike dhe të gjithë partnerët e tjerë relevantë profesionalë.