Ministri serb: Në Këshillin e Sigurisë u vendos që të mos ketë heqje dorë nga paqja

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka deklaruar se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të dielën e 11 dhjetorit, është vendosur që të mos hiqet dorë nga ruajtja e paqes.

Me anë të një postimi në Instagram, Vuçeviq ka kërkuar që të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

“U bëjmë thirrje shqiptarëve dhe serbëve që të qetësojnë situatën, e veçanërisht serbëve në veri iu bëj thirrje të jenë të qetë dhe paqësor, të mos bien në provokime dhe të respektojnë EULEX-in dhe KFOR-in”, ka thënë Vuçeviq.

“Ne vetëm duam që njerëzit tanë të qëndrojnë në vatrat e tyre dhe për këtë kërkojmë që të respektohet marrëveshja e Brukselit dhe të formohet Asociacioni. Nuk ka dorëzim, të gjithë jemi me ju”, shtoi ministri serb.

Ndryshe, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit Kombëtar, ka thënë se Policia e Kosovës nuk ka të drejtë të jetë në veri.

Në një konferencë për media, Vuçiq ka deklaruar se për shkak të situatës së krijuar në veri të Kosovës, e diela e 11 dhjetorit ka qenë dita më e vështirë për të që kur është shpallur president.

Ai ka thënë se serbët në Kosovë po i pret një natë e vështirë.

“Një natë e vështirë na pret, kemi garanci nga KFOR-i se nuk do të ketë veprime të dhunshme. Shpresoj të kemi garanci nga KFOR-i, nga Evropa, se nuk do të ndërmarrin veprime të dhunshme ndaj demonstruesve. Shpresojmë që kështu do të shkojë. Ne vazhdojmë të flasim me ta, kjo është puna jonë. Do të bëjmë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin ”, ka thënë Vuçiq.

“Sot për mua është sigurisht dita më e vështirë që kur kam qenë president apo kryeministër i Serbisë, ndoshta nata më e vështirë më pret”, shkruan Danas.

Ai tutje ka shtuar se ka disponim të njerëzve në Serbi, siç thotë ai, për ta mbrojtur vendin.

“Kurrë që nga ekzistenca e APJ-së nuk kemi pasur këtë lloj rekrutimi dhe këtë lloj reagimi, disponimin e njerëzve për t’u vënë në dispozicion të atdheut të tyre”, ka thënë ai teksa shtoi se “në terren është një luftë të vështirë e një kombi për mbijetesë në vatrat e tij”.

“Sot ata pushtuan me njësi speciale. Komuniteti ndërkombëtar bën sikur nuk e pa. Bëhet fjalë për një përpjekje për t’i dhënë fund problemit serb në Kosovë, në të cilin marrin pjesë Kurti, autoritetet e Prishtinës dhe një pjesë e mirë e bashkësisë ndërkombëtar”, ka thënë presidenti serb.

Vuçiq ka përmendur edhe kërkesën e SHBA-së për heqjen e barrikadave të vendosura në veri të Kosovës.

“E kuptova shumë mirë atë mesazh dhe e prisja, megjithëse jam i zhgënjyer. Ata kanë fëmijën e tyre dhe po e mbrojnë. Fëmijën shqiptar e krijuan 20 vjet më parë dhe e mbaruan 14 vjet më parë, e tash thonë se barrikadat janë problem. Nuk kufizojnë lëvizjen e asnjë shqiptari, është protestë”, u shpreh Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, ka kërkuar që të mos preken ekipet e KFOR-it dhe EULEX-it.