Ministri serb i Mbrojtjes i raporton “gatitu” dhe në detaje ambasadorit rus për situatën në Kosovë

Ministri serb i Mbrojtjes Millosh Vuçeviq theksoi sot, në një takim me ambasadorin rus, Aleksandar Bocan Harçenko, se angazhimi strategjik afatgjatë i Serbisë është ruajtja e statusit të një shteti ushtarakisht neutral, pa anëtarësim në asnjë nga organizatat ekzistuese ushtarako-politike, njoftoi kabineti i ministret serb.

Sipas njoftimit, ai e informoi Bocan-Harçenkon për situatën aktuale të sigurisë në Kosovë “dhe për lëvizjet e njëanshme të institucioneve të përkohshme në Prishtinë me qëllim të provokimit të konfliktit dhe destabilizimit të rajonit”.

Bocan-Harçenko falënderoi për mikpritjen dhe mundësinë për të diskutuar situatën aktuale të sigurisë në Kosovë, thuhet në njoftim.

“Ambasadori theksoi se mënyra e vetme për të zgjidhur të gjitha mosmarrëveshjet është de-përshkallëzimi i situatës aktuale dhe zbatimi i marrëveshjeve detyruese ndërkombëtare, duke respektuar të drejtën ndërkombëtare për integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë”, thuhet në fund të njoftimit.