Ministri Selimi i shkruan Apostolovës – kërkon që Serbia t’ia dorëzojë Kosovës Nezir Mehmetajn

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka njoftuar se i ka bërë thirrje Shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolovës, që ta përdorë fuqinë diplomatike për të bindur autoritetet e Serbisë që t’ia dorëzojnë Kosovës Nezir Mehmetajn, i cili po mbahet në paraburgim që nga janari i këtij viti.

Në letrën që Selimaj i ka drejtuar Apostolovës thuhet se Ministria e Brendshme e Serbisë tashmë ka konfirmuar në procedurë se Mehmetaj nuk është i njëjti person në bazë të të cilit janë ndërtuar pretendimet për anëtarësimin e tij në UÇK, por se pavarësisht kësaj, ai po vazhdon të mbahet nga autoritetet në Serbi.

“Ne bëjmë thirrje që ju të përdorni fuqinë tuaj diplomatike për të bindur autoritetet e Serbisë të përdorin Marrëveshjen shumë të dobishme për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike që është nënshkruar ndërmjet vendeve tona, me mbështjetjen e BE-së. Kjo Marrëveshje është përdorur në më se gjashtëqind raste tashmë midis dy vendeve tona, në ndjekje të drejtësisë në të dyja anët. Ne bëjmë thirrje që prokuroria serbe të përdorë këto mekanizma për të bashkëpunuar me prokurorinë në Kosovë për të transferuar provat dhe procedurat në Kosovë, nën lehtësimin e BE-së. Kjo është mënyra e vetme për të siguruar që qytetarët tanë të marrin mbrojtjen e nevojshme ndërsa kalojnë një gjykim të drejtë dhe të paanshëm”, thuhet në letrën e tij.

Ndryshe, Prokuroria e Serbisë ka ngritur aktakuzë për krime lufte, kundër shtetasit të Kosovës, Nezir Mehmetaj.

Krimet supozohet se janë kryer në fshatin Rudicë, Komuna e Klinës.

Së bashku me aktakuzën është edhe kërkesa për zgjatje të paraburgimit të të pandehurit N.M, i cili më 3 janar është arrestuar në pikëkalimin kufitar në Merdare dhe që atëherë është në paraburgim.