Ministri Peci: Gjendje e rëndë në Ministri të Bujqësisë, arrestimet për korrupsion krijuan traumë

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, gjatë raportimit në Komisionin për Bujqësi, ka theksuar se gjendja në këtë ministri është mjaft e rëndë, për mungesë të legjislacionit, nivelit të borxheve dhe keqpërdorimit.

“Ministria e Bujqësisë është njëra prej ministrive në nivelin më të keq prej të gjitha ministrive të tjera. Kjo si rezultat i problemeve të trashëguar. Një numër i madh i zyrtarëve janë në mbajtje të cilët dyshohen për korrupsion. Pra, kjo ka krijuar një traumë në Ministri”, tha Peci.

Ai foli edhe vonesat e ndarjes së subvencioneve për fermerët.

“E di që janë të shqetësuar fermerët për vonesat shpërndarjes së subvencioneve për këstet e dyta që janë paraparë me anë të Ligjit për rimëkëmbje. Prej që kam ardh në këtë ministri, kemi shqyrtuar lëndët e fermerëve dhe kemi gjetur për disa prej tyre parregullsi, dhe me këtë kemi arrit me i kursyer gjysmë milioni euro. Mirëpo, pas shqyrtimit të lëndëve dhe aprovimit të Task Forcës, mjetet janë duke u shpërndarë në vazhdimësi për fermerët e ndershëm”, tha ai.

Ministri i Bujqësisë duke iu përgjigjur deputetit Bekim Haxhiu për zvogëlimin e subvencioneve për sipërfaqet e fermerëve të rrushit, theksoi se kjo është e pavërtetë.

“Kjo është e pa vërtet, për 100 ditë ne nuk kemi bërë rishikim të programit, as edhe për vreshtarët. Deri tash nuk kemi një vendim. Janë vetëm spekulime”, tha Peci.

Për kallëzimet penale, ministri Peci tha se subvencionet e vitit 2020 janë objekt i hetimit penal.

Ai foli edhe për sigurimin e kulturave bujqësore. Derisa premtoi edhe për ndarjen e mjeteve në një prej mbledhjeve të ardhshme të qeverisë për dëmet në bujqësi.