Ministri i Financave i Izraelit, Bezalel Smotrich, i cili ka qëndrime të së djathtës ekstreme, ka thënë se në Gaza do të lejohet hyrja vetëm e një minimumi të ndihmave për popullatën, në mënyrë që bota të mos e ndalë ofensivën izraelite.
Sipas tij, sasia e vogël e ushqimit që do të hyjë në Rripin e Gazës nuk do të arrijë në duart e Hamasit, raporton televizioni BBC.
“Minimumi i domosdoshëm do të arrijë te popullsia – thjesht në mënyrë që bota të mos na ndalë dhe të mos na akuzojë për krime lufte” – deklaroi ministri izraelit.
“Ajo që do të hyjë ditëve të ardhshme është shumë e vogël: disa furra që do t’u shpërndajnë njerëzve pitajka dhe kuzhina publike që ofrojnë një shujtë ditore të ushqimit të gatuar” – shtoi ai.
Civilët, thotë ai, do të marrin nga një pitalkë dhe një pjatë ushqim – “kaq është”.
Smotrich shtoi se ushtria izraelite “do të shkatërrojë gjithçka që mbetet në Rripin e Gazës”, duke e përshkruar enklavën si “një qytet i madh terrori”.
Ai thotë se civilët do të largohen nga zonat e luftimeve, pasi ushtria “nuk do të lërë asnjë gur pa kthyer mbrapsht”.
“Popullsia do të arrijë në jug të Rripit (të Gazës) dhe, nga aty, me ndihmën e Zotit, në vende të treta” – tha ministri i Financave.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se vendi i tij do ta marrë nën kontroll tërë Gazën dhe ka pranuar se vendimi për ta lejuar hyrjen e një sasie ndihmash në Gaza është marrë pas presionit nga aleatët perëndimorë.







