Ministri i Mbrojtjes i Serbisë tregon tri vijat e kuqe në negociatat me Kosovën

Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha se “vijat e kuqe” të Serbisë në negociatat me Kosovën janë “të qarta”, dhe sipas tij, janë formimi i detyrueshëm i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, mos-njohja e Kosovës dhe mos-anëtarësimi në OKB.

“Gjithçka tjetër është temë për diskutim”, tha Vuçeviq për edicionin e sotëm të gazetës Dnevnik, përcjell Demokracia.com.

Ai ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se ka përdorur “metodat më perfide dhe më tinzare për të provokuar konflikt dhe për të vazhduar kriminalizimin dhe paraqitjen e serbëve si të këqij”.

I pyetur për deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq se vendimi për Kosovën nuk do të merret nga qytetarët, Vuçeviq tha se “do të shfrytëzohen të gjitha potencialet demokratike” dhe se “çdo gjë do të jetë përpara në sytë e publikut”.

Vuçeviq shtoi se ngritja e gatishmërisë luftarake të ushtrisë dhe policisë në nivelin më të lartë së fundmi ishte “një mesazh se do të merren të gjitha masat për të mbrojtur popullin serb dhe për të ruajtur Serbinë”.

“Kjo ishte një përgjigje ndaj kërcënimit të menjëhershëm të luftës dhe asaj që Prishtina po bën për të ‘kryer sulm’ në veri të Kosovës”, tha Vuçeviq.