Ministri i Kulturës shpreh ngushëllime për vdekjen e Luran Ahmetit: Ikja e tij e hershme është dhimbje e madhe

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka shprehur ngushëllime për vdekjen e aktorit Luran Ahmeti.

Çeku në telegramin e tij ngushëllues ka shkruar se është ndjerë i tronditur pasi mori lajmin për vdekjen e aktorit shqiptar, Luran Ahmeti.

” Ikja e tij e hershme nga kjo botë është dhimbje e madhe dhe humbje e pazëvendësueshme për familjen, miqtë dhe kolegët e Luranit dhe lë një zbrazëti të madhe në artin dhe kulturën tonë shqiptare“, thuhet në këtë telegram.

Kujtojmë se Lunari vdiq sot pas infektimit me koronavirus.

Telegrami i plotë pa ndërhyrje:

E nderuar familja Ahmeti,

I tronditur dhe me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta e të dashurit tuaj, aktorit tonë të madh shqiptar, Luran Ahmeti.

Ikja e tij e hershme nga kjo botë është dhimbje e madhe dhe humbje e pazëvendësueshme për familjen, miqtë dhe kolegët e Luranit dhe lë një zbrazëti të madhe në artin dhe kulturën tonë shqiptare.

Skenës artistike teatrale e kinematografike do t’i mungojë talenti dhe profesionalizmi i Luranit, i cili me dashurinë, përkushtimin dhe angazhimin e tij për lojën skenike, arriti të depërtojë edhe në skenën ndërkombëtare. Lurani nuk e përfaqësoi vetëm veten e tij, por prezantoi edhe vlerat e artin shqiptar brenda hapësirave kombëtare dhe jashtë tyre.

I lehtë i qoftë dheu.

Pranoni ngushëllimet më të përzemërta e të sinqerta, ju e nderuar familje, miq, kolegë e ju dashamirë të Luranit.

Sinqerisht,

Hajrulla Çeku

Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Republika e Kosovës