Ministri Gashi: Nuk mundëm ta mbronim Lahutën sepse nuk jemi pjesë e UNESCO-s

Ministri i MKRS-së, Kujtim Gashi në konferencën e fundvitit me gazetarë ka numëruar sukseset dhe sfidat që ka pasur kjo ministri gjatë këtij viti, derisa ka folur edhe për instrumentin e Lahutës, që këtë vit UNESCO e njohu si instrument të kulturës serbe.

Gashi tha se për këtë çështje gazetarët duhet t’i adresohen institucioneve përkatëse të Shqipërisë, sepse, sipas tij, Kosova nuk ka mundur të bëjë diçka pasi që nuk është anëtare e UNESCO-s.

“Serbia është anëtare e UNESCO-s, kurse Kosova nuk është, pra nuk është palë e saj dhe nuk i njihet asnjë dokumentacion që mund të shkojë nga Kosova në UNESCO. Pra ne nuk jemi palë as nuk jemi anëtarë të UNESCO-s dhe rrjedhimisht UNESCO nuk e njeh Kosovën. Ndoshta është dashur të veprojë Shqipëria, pra është çështje të cilën mendoj se duhet ta adresoni te Shqipëria”, është përgjigjur Gashi.

Ndërkaq, ai ka përmendur edhe sfidat kryesore që ka pasur MKRS gjatë vitit 2018, por shtoi se për herë të parë pas 18 vitesh të gjitha institucionet e Kulturës janë bërë me nënkode buxhetore.

“Ky vit është karakterizuar edhe me sfida, me theks të veçantë në funksionimin e institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës dhe sipas rekomandimit të raportit të auditorit të përgjithshëm, ne jemi detyruar dhe kemi vepruar në mënyrë të shpejtë duke i mbyllur të gjitha xhirollogaritë në bankat komerciale në të cilat janë financuar institucionet e Trashëgimisë Kulturore dhe Kulturës dhe për herë të parë pas 18 vitesh të gjitha institucionet e Kulturës janë bërë me nënkode buxhetore”, ka thënë Gashi.

Ndërkaq, lidhur me sektorin e Trashëgimisë Kulturore, Gashi ka thënë se vendim i rëndësishëm ka qenë themelimi i Inspektoriatit për Trashëgimi Kulturore, dhe njëherësh ka premtuar rritjen e inspektorëve në këtë institucion.

“Inspektoriati për Trashëgimi kulturore ka ndërmarrë gjithsej 13 veprime për ndalim punimesh në Prishtinë 4, Prizren 7, si dhe në Deçan 2. Inspektoriati ka proceduar gjashtë kallëzime penale për shkelësit e Ligjit për Trashëgimi Kulturore, në Komunën e Prizrenit pesë dhe një në komunën e Pejës…Mbetet përkushtim dhe sfidë për Ministrinë e Kulturës rritja e numrit të inspektorëve, meqë aktualisht kemi një numër jo të mjaftueshëm”, ka thënë Gashi.

E rritjen për 50 përqind të pagave për punonjësit e kulturës dhe trashëgimisë kulturore, Gashi e ka cilësuar po ashtu si një nga vendimet më të rëndësishme.

Ai ka folur edhe për punën e MKRS-së në sektorin e sportit, me ç’rast ka përmendur që të rinjtë kosovarë sivjet kanë sjellur medalje të shumta ndërkombëtare.

“Sportistët tanë gjatë këtij viti vendit tonë i kanë sjellur gjithsej 54 medalje vetëm në garat ndërkombëtare. Ndërkaq, nëse i referohemi rezultateve dhe të arrituarve nga ana e sportistëve për gara ndërkombëtare dhe ato ballkanike, numri i medaljeve të ndryshme është 100 sosh”, ka thënë Gashi.

Lidhur me sektorin e rinisë, Gashi ka thënë se projektet kryesore gjatë këtij viti kanë qenë formimi i Kampit Rinor dhe Fondi Rinor.

Njëherësh, ai ka thënë se MKRS ka mbështetur 70 projekte të ndërmarrësve të rinj.

Kosova këtë vit është bërë pjesë e programit Evropa Kreative, për të cilin Gashi tha se është mundësi e mirë për të rinjtë që të merren me projekte kulturore.

Gashi po ashtu ka thënë se në vitin 2019 teatrot e Kosovës do të trajtohen me ligj të ri dhe ka premtuar mbështetje për këto institucione.