Kandidati për deputet i koalicionit AAAK-Nisma, Artan Nimani ka kritikuar Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku për neglizhencën që ka treguar për Deçanin sa i përket infrastrukturës sportive.
Sipas Nimanit, ministra e ka lënë në harresë këtë vend, derisa ka publikuar disa foto nga gjendja e mjerueshme e stadiumit në fshatin Irzniq në Deçan.
“Ky stadium, ishte në gjendje të mirë, ishte vendi ku të rinjtë dhe klubi zyrtar “Besa” zhvillonin ndeshjet e kampionatit. Fatkeqësisht, sot ai është lënë në harresë dhe degradim total”, ka shkruar Nimani.
Postimi i plotë:
Ministër Hajrulla Çeku, edhe Deçani është Kosovë!
Sot, gjatë një udhëtimi në fshatin Irzniq të Deçanit, më ra në sy gjendja alarmante e stadiumit të fshatit. Ky stadium, ishte në gjendje të mirë, ishte vendi ku të rinjtë dhe klubi zyrtar “Besa” zhvillonin ndeshjet e kampionatit. Fatkeqësisht, sot ai është lënë në harresë dhe degradim total.
Është ironike të dëgjosh deklaratat propaganduese të ministrit Çeku për mbështetjen e sportit, ndërsa realiteti në terren dëshmon të kundërtën. Ky është vetëm një shembull që demanton fjalët e tij. Deçani duket të jetë sistematikisht i diskriminuar, njësoj si në kohën e pushtimit serb, por tash edhe nën qeverinë aktuale të kryeministrit Kurti.
Qytetarët do ta ndëshkojnë këtë keqqeverisje më 9 shkurt, duke dërguar një mesazh të qartë për ndryshim. Sporti, rinia dhe gjithë Kosova do të fitojnë, sepse zhvillimi i një shoqërie nis nga përkushtimi ndaj brezit të ri dhe mbështetja për mundësitë e tyre.
Stadiumi i fshatit Irzniq, si shumë të tjerë në vend, ishte i planifikuar të rinovohej dhe mirëmbahjej nga MKRS. Megjithatë, gjendja e tij sot është dëshmi e qartë e neglizhencës dhe premtimeve të pambajtura. Lavdi marrisë Ministër!







