Japonezi Takumi Minamino pritet t’i bashkohet Liverpoolit më 1 janar dhe ai mund të përfshihet në skuadër qysh për derbin e qytetit kundër Evertonit, ndeshje kjo e vlefshme për FA Cup.
Mesfushori i Red Bull Salzburgut, Takumi Minamino, pritet t’i kryejë testet mjekësore te Liverpooli sot, para se ta kompletojë transferimin e tij për 7.25 milionë funte në Premierligë, raporton Guardian.
Liverpooli ia aktivizoi klauzolën për shkëputjen e kontratës së Minaminos me Salzburgun javën e kaluar, vetëm disa ditë pasi u përballë me skuadrën austriake për herë të dytë në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.
Nëse nuk del asnjë problem gjatë testeve mjekësore, 24-vjeçari pritet ta nënshkruajë kontratën e tij me klubin anglez qysh të mërkurën, ndërsa do të bëhet lojtar i Liverpoolit sapo të hapet afati kalimtar i janarit, më 1 janar.
Minamino besohet se do të futet menjëherë në skuadrën e Jurgen Kloppit dhe se mund të jetë në dispozicion për ndeshjen e rundit të tretë të FA Cup kundër Evertonit, që zhvillohet në Anfield vetëm katër ditë më vonë.
Liverpooli e vlerëson këtë marrëveshje si shumë të mirë pasi që vlera e futbollistit në treg është trefish më e madhe sesa ajo që ata po e paguajnë. Klubi e kishte mbikëqyrur Minaminon që nga viti 2013, por i përshpejtoi negociatat kur për të u interesuan Manchester Unitedi, Monchengladbachu dhe Milani.
Minamino i ka regjistruar nëntë gola dhe 11 asiste deri më tani për Salzburgun, në gjithsej 22 ndeshje të zhvilluara. Përveç kontributit në Bundesligën e Austrisë (pesë gola, gjashtë asiste në 14 ndeshje) dhe OFB-Cup (dy gola, dy asiste në dy ndeshje), Minamino ka ndihmuar edhe në Ligën e Kampionëve, me dy gola dhe tri asiste në pesë ndeshje.







