Milot Rashica, titullar kundër Dortmundit

Ylli i ekipit kombëtar të Kosovës, Milot Rashica, do ta fillojë që nga minuta e parë përballjen e Werder Bremenit me Borussia Dortmundin, e cila do të zhvillohet sot në orën 18:30 në stadiumin “Weser-Stadion”, në kuadër të xhiros së 30-të.

Milot Rashica ka qenë shumë mbresëlënës këtë sezon të Bundesligës, veçanërisht që nga janari. Këtë formë të mirë do të mundohet ta dëshmojë edhe sot kundër Dortmundit, që po lufton për titullin e Bundesligës.

Aktualisht, Dortmundi radhitet në pozitën e dytë në tabelën e Bundesligës, me pesë pikë më pak se Bayern Munichu. Megjithatë, me fitore ndaj Bremenit, skuadra e Lucien Favre do të mund ta ngushtojë këtë diferencë në dy pikë.

Në anën tjetër, çfarëdo rezultati për Bremenin nuk do të ndikonte që të ndryshohej pozita e tyre në tabelë, pasi që ata renditen në pozitën e nëntë, me gjashtë pikë më shumë sesa Hertha në pozitën e dhjetë dhe pesë pikë më pak se Leverkuseni në pozitën e tetë.