“Milliyet” zbulon arsyen prapa rënies në formë të Vedat Muriqit

Ylli kosovar i Fenerbahces, Vedat Muriqi, nuk ka arritur ta shfaqë më të mirën e tij në fushën e lojës në tri ndeshjet e fundit shkaku i kritikave që i janë bërë jashtë fushës së blertë, sipas gazetës turke Milliyet.

Akuzat dhe kritikat publike, veçanërisht në rrjete sociale, vazhdojnë ta mërzisin Vedat Muriqin. Reagimet e fundit ndaj 25-vjeçarit, pas ndëshkimit të tij me karton të kuq në ndeshjen kundër Gaziantepit, e kanë ndikuar në aspektin psikologjik futbollistin, shkruan Milliyet.

Muriqit i pengoi që mediat raportuan se ai e kishte marrë qëllimshëm atë karton të kuq dhe ai beson se kritikat që iu bënë pas atij incidenti ishin të padrejta. Përkundër kësaj, Muriqi është duke tentuar të qëndrojë i përqendruar në ndeshje dhe ta bëjë punën e tij pa u ankuar dhe pa e komentuar këtë situatë me të tjerët.

Tani, futbollisti kosovar luan me presionin e katër kartonëve të verdhë dhe një kartoni të kuq në këtë sezon të Superligës turke dhe duhet të tregohet shumë i kujdesshëm për të mos u ndëshkuar edhe një herë, pasi që atëherë do ta priste ndonjë dënim disiplinor nga ana e Federatës.

Muriqi nuk dëshiron të mungojë në asnjë ndeshje të Fenerbahces këtë sezon pasi që skuadra e tij po garon për titullin e kampionit. Megjithatë në të kanë ndikuar komentet e fundit, ndërsa edhe spekulimet për të ardhmen e tij kanë qenë të vështira për t’i injoruar.

Ai do të tentojë të mos ndëshkohet me karton të verdhë në ndeshjen e së shtunës kundër Ankaragucu, pasi që dëshiron të luajë në ndeshjen vijuese kundër Galatasarayt, që e ka rival për titullin e kampionit.

Kosovari ka luajtur në 20 nga 21 ndeshjet e ligës deri më tani dhe i ka shënuar 12 gola, duke u bërë golashënuesi më i mirë në skuadër. Me golat e tij, ai i ka ndihmuar Fenerbahces që të jetë vetëm katër pikë larg liderit të tabelës, përkundër që radhitet në pozitën e gjashtë.