Milani pret Olympiakosin. Arsenali 4000 km për në Azerbajxhan

Luhen sot ndeshjet e dyta në grup në Europa League.Në orën 18:55 do të luajnë ndeshjet e tyre Milani dhe Arsenali. Kuqezinjtë e Gattusos do të presin në San Siro, Olympiakosin me synimin që të vijojnë në rrugën e sukseseve.

Bilanci flet për kuqezinjtë që në 2 ndeshjet e para kanë regjistruar 1 fitore dhe 1 barazim. Ndërsa Arsenali ka udhëtuar plot 4000 km drejt Azerbajxhanit ku e pret skuadra e Qarabagut ndaj të cilës do të luajë për herë të parë.

Chelsea që ndodhet në Grupin L do të luajë përballë Vidit me skuadrën hungareze që udhëton drejt Anglisë për herë të parë që nga viti 1985. Blutë fituan ndeshjen e parë ndaj PAOK dhe do të kërkojnë që të përsërisin suksesin dhe ndaj Vidit.

Sevilla që konsiderohet skuadra specialiste e Europa league do të luajë në fushën e Krasnodarit. Të dyja këto skuadra vijnë në përballjen mes tyre pas fitoreve në ndeshjet e para kundër Standard Liege dhe Akhisar dhe marrja e 3 pikëve në këtë sfidë do të thotë shumë për to.

Në fushën e lojës do të zbresin edhe Villarreal e Glasgow Rangers. Skuadra spanjolle do të përballet me Spartakun e Moskës në Rusi ku do të kërkojë të marrë fitoren e parë. Kjo e sotmja do të jetë përballja e tretë mes Spartakut e Villarrealit. Në dy sfidat e mëparshme është regjistruar 1 fitore për Villarrealin dhe 1 barazim. Ndërsa Glasgow i Steven Gerrard dhe ku luan sulmuesi shqiptar Eros Grezda do të luajë me Rapidin e Vjenës.

Kjo do të jetë hera e tretë që Glasgow do të luajë me skuadrën austriake dhe bilanci flet krejtësisht për skocezët që kanë fituar 2 ndeshjet e para. Tjetër sfide interesante është ajo mes Eintrachtit dhe Lazios me skuadrën romane që do të kërkojë të harrojë humbjen në derbin me Romen dhe të marrë pikët e radhës në Europa League.