Gattuso në rrezik

Milani në krizë, dështon të fitojë edhe ndaj Frosinones

Milani nuk ka arritur të fitojë për të katërtën ndeshje rradhazi në Serie A, teksa sot në mesditë është ndalur në barazim pa gola ndaj skuadrës që lufton për mbijetesë, Frosinones.

“Rosonerët” e filluan qetë ndeshjen, ndërsa rast të mirë për të shënuar pati Castillejo në minutën e 17-të kur qëlloi shtyllën brenda zonës së rrezikshme.

Me kalimin e kohës, Frosinone rriti nivelin e lojës derisa ishte kërcënuese në disa raste para portës së Gigio Donnarummës, gjersa në minutën e 37-të skuadra vendase kaloi në avantazh, megjithatë goli u anulua nga gjyqtari pas konsultimit me VAR-in.

Në pjesën e dytë, Milani tentoi të gjente golin e epërsisë me Cutronen dhe Higuainin por dy sulmuesit u treguan të pa saktë, kurse në anën tjetër Frosinone pati një mundësi të mirë shënimi me Cianon në minutat e fundit të sfidës.

U mbyll kështu në barazim 0-0 sfida hapëse e javës së 18-të në Serie A, me Milanin që barazoi Lazion në vendin e 4-të me nga 28 pikë por me lazialët që kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.

Vlen të përmendet se pas këtij rezultati zhgënjyes, trajneri i Milanit, Gennaro Gattuso rrezikon të shkarkohet pasi që “Rosonerët” nuk kanë arritur të shënojnë asnjë gol në 4 ndeshjet e fundit në kampionatin italian, duke shtuar këtu edhe eliminimin e hershëm nga Europa League.