Milani mposht Lazion në betejën e Championsit (VIDEO)

Milan ka marrë një fitore jetësore 1-0 ndaj Lazio-s në luftën për kualifikimin në Champions League.

Kuqezinjtë kishin zbritur në vend të pestë pas fitores së Roma-s, por me tre pikët e fituara në San Siro kanë rimarrë vendin që të çon në Champions.

Ishte Lazio që e nisi më mirë ndeshjen duke krijuar disa mundësi të mira, ndërsa Milan e mori veten pas gjysmë ore lojë.

Pas pushimit vendasit ushtrojnë më tepër presion ndaj kryeqytetasve dhe gjejnë golin e avantazhit në minutën e 79’ të takimit me Kessie i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë.

Arbitri Rocci vetëm një minutë më parë kishte akorduar një penallti për kuqezinjtë, por pas konsultimit me VAR, ai ndryshoi mendim.

Gjithsesi, incidenti i dytë ishte i pastër dhe nuk ishte nevoja të ndërhynte teknologjia.

I vetmi lajm i keq për Milan është zëvendësimi i Romagnolit pak minuta përpara se të shënohej goli, ai ka pësuar një dëmtim.