Deputeti

Milaim Zeka: Gjykata Speciale do t’i thërrasë Kadri Veselin, Xhavit Halitin, Fatmir Limajn, Azem Sylën e Rexhep Selimin

(I plotësuar) – Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli; lideri i NISMA’s, Fatmir Limaj; ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku; ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Azem Syla; nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, dy zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, si dhe disa zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës e të Vetëvendosjes, janë ndër personat që, sipas deputetit të Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, do të ftohen nga ana e Gjykatës Speciale për intervistim në Hagë.

Këta emra Zeka i ka përmendur ekskluzivisht në një intervistë në DPT te Fidani, në televizionin T7.

“Kadri Veseli, Agim Çeku, Azem Syla, Fatmir Limaj, ka të AAK’së, dy persona të lartë ka edhe të Vetëvendosjes do të thirren nga ana e Speciales. Drenica do të goditet më së shumti nga ana e Gjykatës Speciale”, ka deklaruar Zeka.

Ai ka thënë po ashtu se Specialja do ta thërrasë edhe Rexhep Selimin e VV’së.

Zeka ka theksuar se në listën të cilën ai e posedon nuk gjendet emri i presidentit Hashim Thaçi, e as ai i kryeministrit Ramush Haradinaj.

Më herët, Zeka ka deklaruar se është takuar me disa prej zyrtarëve të cilët janë ftuar nga Specialja për intervistim.

Milaim Zeka zbulon listën me emrat që mund të ftohen për intervistim nga Specialja, s’është Thaçi

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, në DPT te Fidani, në T7, ka folur rreth listës me emrat e personave të cilët, sipas tij, do të ftohen nga ana e Gjykatës Speciale. Zeka ka deklaruar se është takuar me disa prej zyrtarëve të cilët janë ftuar nga Specialja për intervistim.

“Ekzistojnë lista si Lista A, Lista B dhe Lista C. Unë nuk dua të flas me emra. Unë sot jam takuar me Remin, e dje me Sami Lushtakun”, ka deklaruar Zeka.

Ai ka thënë se dje e ka njoftuar Sami Lushtakun se do të thirret për intervistim nga Gjykata Speciale.

“Dje unë i kam thanë Samiut: a e ke marrë ftesën? Tha ‘jo’, dhe i kam thanë që nesër (sot) të vjen. Nuk është garë të flasësh për lista të njerëzve, që janë eprorë të lartë të UÇK’së, falë së cilës jemi gjallë”.

“Në listën që unë e kam parë, nuk figuron vetëm një, emri i Hashim Thaçit”, ka deklaruar Zeka.

Ai ka thënë se në listë është edhe deputeti i VV-së, Rexhep Selimi.