Mikel Arteta

Mikel Arteta i befasuar nga disiplina e dobët e yllit të Arsenalit – thotë se do të marrë masa

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka pranuar se ai është i befasuar për faktin se Kai Havertz numëron tetë kartonë të verdhë momentalisht, pasi u ndëshkua në fitoren me rezultat 2-0 ndaj Luton Town të mërkurën.

Kjo ishte hera e 11-të këtë sezon në të gjitha garat që Havertz ndëshkohet me të verdhë, ku tetë prej tyre kanë ardhur në Ligën Premier, duke bërë që ai të jetë vetëm dy kartonë larg suspendimit për dy ndeshje.

Në rast se gjermani ndëshkohet në dy ndeshjet e radhës që Arsenali i luan ndaj Aston Villës dhe Wolvesit, atëherë ai do të mungojë për dy ndeshje.

“Po, duhet të jemi të kujdesshëm. Shpresoj që ai nuk do të ndëshkohet përsëri, sepse ne e dimë se çfarë ndodh pasi merr dhjetë të tillë”, ka thënë fillimisht Arteta.

Tekniku spanjoll u pyet nëse ishte i befasuar nga rekordi i keq sa i përket numrit të kartonëve nga Havertz.

“Po. Nëse do më thoni për një lojtar tjetër ndoshta jo, por me të po. Unë duhet të kthehem mbrapa dhe të analizoj këta kartonë të verdhë, por ne duhet të përmirësohemi sepse nuk duam që lojtarët tanë të ndëshkohen aq shumë. Duhet të përmirësohemi në këtë aspekt”, është shprehur ai.

Havertz ka humbur vetëm një ndeshje në të gjitha garat këtë sezon. Kjo ndeshje ishte kur u suspendua në humbjen që Arsenali e pësoi me rezultat 2-0 ndaj West Hamit, pasi akumuloi pesë kartonë të verdhë.