Mijëra të zhdukur nga tërmeti, togeri shqiptar flet me keqardhje: Nuk ka më shpresë që të nxjerrim njerëz të gjallë

Togeri Grei Malo u shpreh se nuk ka më shpresë që të nxjerrin njerëz të gjallë nga rrënojat e tërmetit tragjik që goditi mëngjesin e të hënës Turqinë.

Në një intervistë për emisionin “Good Morning Albanians” në Euronews Albania ai tha se po bëjnë maksimumin që të nxjerrin trupat nga rrënojat, por punën e tyre po e vështirësojnë moti i ftohtë dhe lëkundjet e herë pas hershme të tërmetit.

“Po hapen tunele, është afruar ekipi përkatës me pajisjen që dëgjon valë të ndryshme në mënyrë që të afrohemi sa më shumë tek njerëzit që mund të jenë gjallë. Nuk ka shpresë. Po bëjmë maksimumin që t’u japim ndihmë personave të prekur nga tërmeti.

Jo më larg se mbrëmë ka pasur lëkundje, dhe rreth orës 4 të mëngjesit pati një goditje rreth 5,2 ballë. Lëkundjen po vështirësojnë punën e ekipeve të kërkim–shpëtimit. Temperaturat mbrëmë kanë qenë -12 gradë”- tha ai.

Numri i të vdekurve deri më tani raportohet të ketë arritur në rreth 16 mijë.