Mijëra euro nga Lista Serbe për sondazhe, kush është OJQ-ja që i pranoi këto para?

Lista Serbe, partia më e madhe e komunitetit serb në vend, ka paguar mijëra euro tek OJQ-ja “NGO Kosovo Research and Development Center”. Shpjegimet janë të shkurtra për këto pagesa të majme, derisa vet kjo OJQ është krijuar në shtator të vitit 2022. Cila është lidhja e drejtoreshës së kësaj organizate me Drijana Hoxhiq? 

Katër pagesa, secila në vlerë prej 5 mijë eurosh, nga fundi i shtatorit deri në fund të dhjetorit të vitit të kaluar ishin bartur nga xhirollogaria e partisë më të madhe serbe, Lista Serbe, në xhirollogarinë e një Organizate Joqeveritare.

Në regjistrin publik të OJQ-ve, të dhënat e saj dalin që janë përditësuar dhe është finalizuar po në muajin kur nisën të merrnin pagesa nga partia politike parlamentare që përfaqëson shumicën serbe në vend.

“NGO Kosovo Research and Development Center” del që është themeluar më 7 shtator 2022, dhe themelues të saj janë Goran Popović, Momčilo Arlov dhe Aida Hot që mban edhe funksionin e Drejtoreshës të OJQ-së.

Në rrjetin social Facebook ajo ka promovuar kandidaten  zgjedhjeve të vitit 2021, Adrijana Hoxhiq nga komuniteti boshnjak,  për të cilën ishin ngritur dyshime serioze që vota për të grumbulloi vet Lista Serbe, derisa një vendim i gjyqësorit kosovar edhe pas kësaj afere ia pamundësoi futjen në Kuvend, duke ia dhënë ulësen përfaqësuese për boshnjakëve deputetes Duda Balije.

Adrijana Hoxhiq ka shërbyer një kohë edhe si zëvendëskryetare në komunën e Mitrovicës së Veriut të udhëhequr nga Lista Serbe.

OJQ-ja që bëri sondazhe për Listën Serbe

Edhe pse në raportin financiar të Listës Serbe nuk është treguar më shumë se për çka kjo parti pagoi 20 mijë euro në xhirollogarinë e “NGO Kosovo Research and Development Center”, pos që në katër raste janë paguar vlera të njëjta.

“Keni të drejtë që sipas të dhënave publike, OJQ “ NGO Kosova Research and Development Center” është regjistruar zyrtarisht si organizatë joqeveritare (OJQ) nga institucionet relevante të Kosovës më 07/09/2022. Megjithatë, para regjistrimit zyrtar. si OJQ, ne kemi punuar si Organizatë e Bazuar në Komunitet (OBK) e cila nuk kërkon regjistrim zyrtar si OJQ, pasi që OBK-të janë një grup joformal i qytetarëve që kryejnë aktivitetet e tyre mbi baza vullnetare në interesin më të mirë të komuniteteve të shqetësim” ka thënë Momčilo Arlov.

Arlov i ka thënë Gazetës Insajderi se nuk janë OJQ e vetme që janë marrë me sondazhe dhe sipas tyre pagesat që kanë marrë nga Lista Serbe nuk janë shërbime që i kanë bërë për këtë parti, por sipas tij, “për të mirën e sektorit publik”.

“Qëllimi i marrjes së parave nga Lista Srpska ishte hulumtime në komunitetin serb të Kosovës dhe komunitetet tjera pakicë në lidhje me punën e kryer nga Lista Srpska – ju lutemi vini re se kjo është e një rëndësie ekstreme për faktin se edhe pse fondet janë pranuar nga partitë politike, i njëjta ka dashur të ketë edhe një opinion të mirëfilltë për komunitetet që përfaqësojnë përmes angazhimit të OJQ-ve të pavarura dhe pa ndonjë udhëzim apo udhëzim të dhënë nga donatorët, që mund të paraqesin parti politike në interes të tyre, gjë që është bërë përmes sondazhit të opinionit publik, si aktiviteti kryesor dhe i vetëm i ofruar për Listën Srpska”, ka thënë Momčilo Arlov.

Edhe pse paguan 20 mijë euro, Arlov thotë se Lista Serbe nuk mori përgjigje të kënaqshme nga sondazhet që u bënë për nevoja të saj.

“Po aq e rëndësishme për të nënvizuar këtu është fakti se Lista Srpska nuk ishte e kënaqur me raportet paraprake dhe përfundimtare të Analizës së Sondazhit të Opinionit Publik të ofruar nga OJQ-ja jonë, pasi ajo tregoi rënie të ndjeshme të komuniteteve pakicë që përfaqëson Lista Srpska, duke treguar se puna është kryer në interesin më të mirë të komuniteteve në mënyra të paanshme dhe plotësisht të pavarura” thotë Arlov.

Edhe pse Insajderi ka kërkuar që ti shoh sondazhet, Arlov ka një shpjegim pse ato ende nuk janë publike.

“Raporti përfundimtar analitik mbi projektin shqetësues do të bëhet gjithashtu publik, pasi i gjithë dokumentacioni i projektit, përfshirë aspektin financiar të të njëjtit, të inspektohet nga kompania e pavarur e revizionit të jashtëm të punësuar nga Lista Srpska, duke përfshirë vlerësimin tonë të brendshëm të pavarur”, thotë ai, duke premtuar që pas këtij procesi ai do t’ia dërgoi dokumente.

Edhe pse është drejtoreshë dhe njëra nga tre themeluesit e kësaj OJQ-je, sipas Momčilo Arlov, Aida Hot nuk është më pjesë e kësaj organizate.

Ai tha që Hot ka gjetur një punë në sektorin publik, pa treguar se ku, dhe se në regjistrin publik të OJQ-ve shumë shpejt do të hiqet emri i saj tek profili i “NGO Kosovo Research and Development Center”.

Aktualisht në këtë regjistër, pos në këtë OJQ, Aida Hot si drejtoreshë figuron edhe në OJQ-në “Aspirata”, ku bashkëthemelues ka edhe Hajdar Shytin e Ajtene Nishliun e themeluar në vitin 2010 si dhe në “CENTAR ZA PRAVNO VOLONTIRANJE” ku për bashkëthemelues ka Milena Milovicin dhe Stefana Raftovskin dhe e kanë regjistruar organizatën në vitin 2015.

Insajderi ka dërguar pyetje edhe tek Aida Hot, por e njëjta deri tash nuk është përgjigjur.

Sipas Arlov, grupi i aktivistëve të shoqërisë civile që kanë themeluar këtë organizatë në shtator 2022 kanë kryer aktivitete me bazë vullnetare që nga viti 2019, pa fonde të marra nga asnjë donator.

“Megjithatë, me rritjen e shtrirjes së aktiviteteve tona, ne menduam se për të pasur një ndikim më të thellë dhe më domethënës në çështjet që shqetësojnë komunitetet dhe problemet me të cilat ato përballen në të gjitha aspektet e jetës së tyre, duke i ngritur ato në një nivel më kompetent brenda institucionet e nivelit komunal dhe qendror, kemi vendosur të regjistrohemi si OJQ”, tha Arlov.