Tentim vrasje

Tentoi ta vriste për shkak se refuzoi të kryente marrëdhënie seksuale me të – Prokuroria nis hetimet për rastin në Fushë Kosovë

Një rast i rëndë ka ndodhur të dielën në Fushë Kosovë, ku një burrë ka goditur me thikë në kokë një burrë tjetër, pasi që ky i fundit kishte refuzuar të merrte substanca narkotike dhe të kryente marrëdhënie seksuale me të dyshuarin.

Policia përmes raportit 24 orësh, bëri të ditur se i dyshuari tashmë është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti nën ndikim të substancave narkotike, fillimisht e kishte joshur viktimën mashkull kosovar, që të konsumoj substancë narkotike, e pasi viktima kishte refuzuar të konsumoj , i dyshuari e kishte joshur (cytur) që të kryejnë marrëdhënie seksuale kundër dëshirës së tij, dhe pasi edhe kësaj here viktima kishte refuzuar, i dyshuari me një thikë kuzhine, e kishte goditur viktimën në kokë, me ç’rast i shkakton lëndime trupore”, thuhej në raport.

Lidhur me këtë rast nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, i kanë thënë Telegrafit se është lëshuar aktvendim mbi ndalimin e të dyshuarit për veprën penale “Vrasje në tentativë”.

“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalim ndaj një personi, i dyshuar për veprën penale “Vrasja ne tentative”, sipas KPRK-së. Derisa, brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkese për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurën penale. Ne koordinim me policinë jemi duke ndërmarrë veprime hetimore për qëllim të sqarimit të rrethanave rreth këtij rasti”, ka deklaruar zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.

Ulaj ka shtuar se për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe integritetit të hetimeve nuk mund të japin më shumë informata rreth kësaj çështje.