Mijallkov pret përgjigje nga Mickoski, më pas do të vendos për padinë ndaj Nikollovskit

Ish-shefi i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim Sasho Mijallkov, sot refuzoi të jep deklaratë për mediat dhe të përgjigjet në pyetjet për letrën e hapur, të cilën para disa ditëve e lëshoi për kryetarin e OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski.

Para fillimit të seancës për lëndën “Titanik 2”, në pyetjen nëse do ta padis nënkryetarin e partisë Aleksandar Nikollovski, Mijallkov shkurt tha se së pari pret përgjigje për letrën e Mickoskit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ditë më parë pasi u përjashtua nga partia, Sasho Mijallkov kërkoi fakte nga Mickoski për akuzat që u bënë ndaj tij si dhe arsyet për përjashtimin nga partia.

Përndryshe, Mijallkov sot është paraqitur në Gjykatën Penale ku është mbajtur seancë për lëndën “Titanik 2”, në të cilën ai është i akuzuar nga Prokuroria Speciale për parregullsi zgjedhore në zgjedhjet lokale të vitit 2013.