Migrimi i kosovarëve nuk është i njëjtë me atë të vitit 2015, thotë Krasniqi

​Migrimi në Kosovë nuk është tani i njëjtë me atë të vitit 2015. Kështu thotë shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi.

Në një intervistë për KosovaPress, Krasniqi thekson se njerëzve duhet t’u krijohet besueshmëri që të mundë të kenë perspektiv në Kosovë.

“Nuk është migrimi i njëjtë sikur në vitin 2015, ku njerëzit në mënyrë masive e kanë lëshuar Kosovën dhe ajo ka qenë me të vërtetë traumatike edhe për neve, kur kemi qenë në pushtet atëherë në qeverisje me LDK-në, kur Isa Mustafa ishte kryeministër. Sot kemi një situatë tjetër, nuk them që është e mirë por është ndryshe. Vendimi i njerëzve për ta lëshuar Kosovën me një vizë të punës është një vendim që nuk e marrin lehtësisht, por nuk është i njëjti me rastet që i kemi pasur”, ka thënë Krasniqi.

Gjithashtu, Krasniqi u përgjigj edhe temës për punësimet e njerëzve të afërt me pushtetarët nëpër institucionet publike. Për këtë, ai thotë se është e dënueshme të punësohen vetëm familjarët dhe militantët e partive, por nuk është edhe ligjore.

Sipas tij, kjo do të vazhdojë derisa qytetarët nuk vetëdijesohen dhe nuk kërkojnë llogari e transparencë më të madhe prej institucioneve dhe partive politike.

“Është e dënueshme të punësohen vetëm familjarët. Nuk është ligjore. Ka ndodh, ndodh edhe sot, si dhe do të ndodhë besoj sikur në secilin vend për aq kohë sa ne nuk vetëdijesohemi. Si qytetarë, nuk kërkojmë prej partive politike dhe përfaqësuesve tonë në Kuvend në institucione një përgjegjësi dhe transparencë më të madhe. Kjo temë nuk duhet të zhduket, duhet të trajtohet në vazhdimësi. Nëse nuk trajtohet në vazhdimësi, presioni rritet, kalon, jam i mendimit që presioni ndaj politikanëve dhe politikës për çështjen e shkeljes të së drejtës së barabartë në punësim duhet me qenë absolut edhe i gjithëkohshëm”, shtoi ai.

Krasniqi mendon se organizatat e shoqërisë civile duhet të monitorojnë më shumë transparencën në ndërmarrjet publike.

Ndërsa i pyetur për problemet me listat e veteranëve të UÇK-së, Krasniqi mendon se një çështje e tillë, e cila lidhet me lirinë e Kosovës, nuk është dashur të vijë në këtë nivel.

“Tashmë kemi një proces hetimor apo gjyqësor për këtë çështje. Unë besoj që ai proces të japë një përgjigje dhe po ashtu secili prej institucioneve dhe prej zyrtarëve që e kanë edhe sot një përgjegjësi të tillë, duhet ta zbatojnë këtë përgjegjësi gjithsesi në bashkëpunim edhe me shoqatat e dala nga lufta. Për këtë proces nuk ka zyrtar partiak, ky ka qenë proces ku janë ftuar dhe kanë marrë pjesë njerëzit që e kanë udhëheq luftën në Kosovë, vendimet për të qenë në PDK, AAK ose në një parti janë vendime që i kanë marrë pasi ka përfunduar lufta, por ky proces ka të bëjë me periudhën e luftës, dhe në këtë kuadër besoj duhet të bëhet një siguri, ta kemi një siguri që lista finale e njerëzve të cilët duhet me marrë kompensimin e drejtë të jetë e vërtetë”, thotë ai.

Sipas tij, duhet të ketë drejtësi në kuptimin e verifikimit se kush janë njerëzit përgjegjës për ato lista.