Modriç

​Messi thërret Modriçin në Inter Miami

Ish-lojtari i Real Madridit, Pedja Mijatovic, ka zbuluar se e ardhmja e Luka Modric në Real Madrid mund të jetë lëkundur.

Gazeta spanjolle “AS” raporton se kroati ka disa ofertues dhe njëri prej tyre është klubi i MLS, Inter Miami, dhe se Modric e ka dëgjuar propozimin e tyre tashmë. Gjatë pushimit të fundit për shkak të ndeshjeve ndërkombëtare, Modric dhe David Beckham, bashkëpronar i klubit amerikan, u takuan dhe hëngrën drekë, sipas Mijatovic.

“Ai ka marrë oferta nga Shtetet e Bashkuara, nga shumë ekipe dhe nga kjo në veçanti. Ai tashmë kishte një nga Arabia Saudite, por donte të qëndronte në Madrid”, shpjegoi Mijatovic, përcjellë KosovaPress.

Lionel Messi gjithashtu raportohet se është i interesuar për mundësinë që Modric t’i bashkohet klubit. Raporti shton se mesfushori veteran tashmë e ka bërë të qartë se ka vënë re një ndryshim në rolin e tij te Real Madrid dhe se është i gatshëm të ndryshojë ambient.