Goli i shënuar në fundjavën e kalur ndaj Eibarit ishte i 400-ti në La Liga për yllin e Barcelonës, Lionel Messi, i cili nuk ka harruar t’i njohë merita për këtë arritje bashkëlojtarëve të tij.
31 vjeçari është lider i golashënuesve më të mirë në kampionatin spanjoll duke u distancuar nga rekordi i mëhershëm që mbahej nga Telmo Zarra i Athletic Bilbaos me 251 gola, rekord ky që mbahej prej 59 viteve, të cilin e theu Messi në vitin 2014.
Sulmuesi argjentinas e ka lënë prapa ish lojtarin e Real Madridit, Cristiano Ronaldon me 89 gola më tepër, ndërsa lojtarët e vetëm që ende janë aktivë në La Liga dhe që njëkohësisht rradhiten lartë në listë janë Karim Benzema dhe Aritz Aduriz.
“Jam krenar me arritjen e 400 golave dhe shpresoj të shënoj edhe shumë të tjerë. Nuk fokusohem shumë në numra apo rekorde, preferoj të shikoj ditë pas dite. Më shumë se golat, mendoj se secila ndeshje është një sfidë në vete ku duhet t’i marrim tre pikët dhe të konkurojmë për La Liga. Tentoj ta ndihmoj skuadrën edhe duke asistuar dhe duke qenë pjesë e lojës. Sigurisht se pa mbështetjen e bashkëlojtarëve aktual dhe ata të së kaluarës nuk do të kisha mundësi të arrija këtë numër golash”, u shpreh Messi.
Lionel Messi tregoi se nuk e ka harruar golin e parë të shënuar në La Liga e që erdhi pas një asistimi të Ronaldinhos kundër Albacetes, ndërsa për kapitenin e Barcelonës rëndësi të veçantë kanë golat e realizuar në “El Clasico”.







