Kapiteni i Argjentinës

Messi takohet me presidentin e federatës së Argjentinës, projektohet rikthimi?

Rikthimi i Lionel Messit te kombëtarja e Argjentinës mund të ndodhë së shpejti, teksa ylli i Barcelonës ka pasur takime me presidentin e federatës së Argjentinës, Cluadio Tapia dhe selektorin, Lionel Scaloni.

Messi nuk është paraqitur te kombëtarja “Albiceleste” prej korrikut të këtij viti në Kupën e Botës kur Argjentina u eliminua nga Franca.

Kampanja e Argjentinës në Botëror ishte zhgënjyese ndërsa u pretendua se formacionin nuk e përgatiste selektori i shkarkuar pastaj, Jorge Sampaoli, por ylli i skuadrës, Lionel Messi.

Presidenti i federatës, Tapia shpërndau në Twitter një foto së bashku me pesë herë fituesin e Topit të Artë, të cilin e takoi gjatë zhvillimit të finales së dytë të Copa Libertadores mes dy klubeve argjentinase, River Plate-Boca Juniors.

“Largohem nga Madridi pas finales së Copa Libertadores dhe një pune intensive. E përfunduam vitin duke menduar për të ardhmen së bashku me Scalonin dhe Leo Messin”, shkruan presidenti Tapia.

Argjentina ka nevojë për ndihmën e Messit, derisa gjatë verës së vitit të ardhshëm në Brazil organizohet Copa America, gjersa ky trofe mungon në Argjentinë prej vitit 1993.