Messi: Kurrë s’më ka shkuar mendja se do të thyeja rekorde, e aq më pak të Peles

Lionel Messi ka thënë se kur kishte filluar të luante futboll, nuk kishte menduar se do të ishte në gjendje ta thyente ndonjë rekord, e lërë më atë të legjendës së Brazilit, Pele.

Messi e theu rekordin e Peles për më së shumti gola të shënuara për një klub të vetëm, pasi e shënoi golin e 644-të në karrierë për Barcelonën të martën kundër Real Valladolidit.

Ikona braziliane i kishte shënuar 643 gola për Santos në karrierën e tij, një shifër që deri sot dukej e paarritshme – por Messi vendosi rekord të ri duke e shënuar një gol në fitoren e Barçës kundër Valladolidit në La Liga.

Messi e zgjodhi Instagram për t’i falënderuar mbështetësit dhe të gjithë ata që i ndihmuan ta arrijnë këtë rekord madhështor.

“Kur fillova të luaj futboll, as që më kishte shkuar në mendje se do ta thyeja ndonjë rekord, e aq më tepër rekordin që e theva sot të cilin e mbante Pele”, shkroi Messi.

“I falënderoj të gjithë ata që më ndihmuan gjatë këtyre viteve, bashkëlojtarët, familjen, miqtë  dhe të gjithë ata që më përkrahën çdo ditë”, shtoi ai.

Messi e kishte barazuar rekordin e Peles në fundjavë, kur kishte shënuar në barazimin e Barcelonës 2:2 me Valencian.

Pele i shënoi 643 gola gjatë 19 sezoneve për ekipin e atdheut të vet Santos nga viti 1956 deri më 1974.

Messit, i cili e shënoi golin e parë për Barçën në vitin 2005 dhe që prej atëherë i ka fituar 10 tituj në La Liga dhe katër trofe në Ligën e Kampionëve, i mbaron kontrata në fund të këtij sezoni dhe është i lirë të bisedojë me klubet e tjera nga janari.