Messi është i vetmuar

Lionel Messi është i trishtuar, sepse e ka humbur Luis Suarezin i cili e pësoi një lëndim afatgjatë duke e lënë argjentinasin pa partner në krim, me Barcelonën që vazhdon të vuajë nga forma e dobët.

Statistikat tregojnë se Suarez është lojtari me të cilin Messi kënaqet më së shumti duke luajtur. Messi dhe Suarez janë përgjegjës për 70 për qind të golave të Barçës që prej se uruguaiani iu bashkua klubit më 2014, transmeton Gazeta Express.

Këtë sezon, Messi ka bashkëpunuar me Suarezin më shumë se më çdo sulmues tjetër në skuadër.

Në fakt, as Ousmane Dembele, Ansu Fati e as Carles Perez nuk kanë arritur të asistojnë qoftë edhe një herë për argjentinasin deri tani.

Antoine Griezmann i ka asistuar kapitenit të tij dy herë, derisa Suarezi plot katër herë në La Liga.

Por jo vetëm në fushë

Problem është më i thellë se vetëm në futboll.

Suarez është shok i ngushtë i Messit. Ata jetojnë afër njëri-tjetrit dhe shkojnë në stërvitje dhe në ndeshje së bashku.

Familjet e tyre kalojnë kohë së bashku, prandaj nuk mund të nënvlerësohet mungesa e Suarezit që Messi do ta ndiejë në katër muajt e ardhshëm.

“Ne shpresojmë se Leo nuk mërzitet dhe klubi e rrethon me lojtarë të duhur”, pati thënë Pep Guardiola më 2012, diçka që edhe sot tingëllon e vërtetë.