11-shja e vitit

Messi e Ronaldo udhëheqin formacionin e sezonit në Evropë, sipas “Goal”

Mediumi i njohur i futbollit, “Goal” ka përzgjedhur 11-shen më të mirë të sezonit aktual në Evropë, të cilës i prijnë dy superyjet, Lionel Messi e Cristiano Ronaldo.

Në portë, “Goal” ka përzgjedhur Alissonin e Liverpoolit që ka dëshmuar ndikim masiv në mbrojtjen e “Të Kuqve” që falë mbrojtjes së pathyeshme janë liderë në Premier Ligë.

Mbrojtës i djathtë: Joao Cancelo. Cancelo po shkëlqen te Juventusi pas kalimit nga Interi. Ai është në formë fantastike me Juventusin, me të cilin prin në Serie A.

Qendrëmbrojtës: Virgil van Dijk. Qendërmbrojtësi i Liverpoolit është bërë lider i skuadrës që ka pësuar vetëm tetë gola në 20 ndeshje në Premier Ligë deri tash.

Qendrëmbrojtës: Kalidou Koulibaly. Ylli i Napolit ka marrë vëmendjen e gjithë gjigantëve evropianë me paraqitjet e tij. Madje klubi ka refuzuar edhe oferta 100 milionë eurosh për shërbimet e senegalezit.

Mbrojtës i majtë: Jordi Alba. 29-vjeçari i Barcelonës po dëshmon se është ndër më të mirët në botë në pozitën e tij. Ai deri tash ka asistuar gjashtë herë.

Qendërmesfushor: Allan. Ndikimi i Allanit te Napoli ishte tejet i madh këtë sezon, duke bërë që të harrohej Jorginho që u largua në drejtim të Chelseat.

Qendërmesfushor: Axel Witsel. Dortmundi kishte paguar 20 milionë euro verës për belgun, që po del të jetë tejet i rëndësishëm për skuadrën lidere të Gjermanisë.

Sulmues i krahut të djathtë: Lionel Messi. Argjentinasi ka gjetur formën e kërkuar duke realizuar 21 herë në 20 ndeshje këtë sezon në të gjitha garat. Po ashtu ka 12 asiste, më së shumti në pesë ligat kryesore të Evropës.

Mesfushor ofensiv: Marco Reus. Gjermani është larguar nga lëndimet dhe ka shënuar 14 gola e ka asistuar shtatë herë për të udhëhequr Dortmundin në Gjermani.

Sulmues i krahut të majtë: Cristiano Ronaldo. Kalimi nga Real Madridi te Juventusi nuk e ka zbehur formën e Cristiano Ronaldos. Ai ka shënuar 14 gola deri tash duke udhëhequr “Zonjën e Vjetër” drejt titullit të tetë rresht në Serie A.

Qendërsulmues: Robert Lewandowski. Bayerni ka mbetur prapa Dortmundit këtë sezon, por polaku ka realizuar 22 gola në të gjitha garat, duke u bërë aktualisht golashënuesi më i mirë në pesë ligat kryesore të Evropës.