Mësohen çiftet e Ligës Unike

Dueli ndërmjet Vllaznisë së Shkodrës dhe KB Pejës, do ta hap edhe zyrtarisht turneun “Final 8” të Ligës Unike të basketbollit. Shorti për çiftet është tërhequr të premten, ka njoftuar Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK). Kjo ndeshje do të zhvillohet të martën e ardhshme në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec prej orës 16:00.

Ky duel çerekfinal, i takon Grupit A të ligës së përbashkët të basketbollit ndërmjet Kosovës e Shqipërisë. Ndeshja tjetër çerekfinale që po ashtu zhvillohet të martën e ardhshme, është ajo ndërmjet Rahovecit dhe Teutës së Durrësit, që i takon Grupit B dhe nis në orën 19:00.

Të mërkurën, do të zhvillohen edhe dy ndeshjet tjera çerekfinale: GogaBasket – Tirana (16:00) në kuadër të Grupit C kurse në Grupin D, do të përballen Sigal Prishtina dhe Golden Eagle Ylli (19:00).

“Në gjysmëfinale do të përballen fituesi i Grupit A me fituesin e Grupit D dhe fituesi i Grupit B me fituesin e Grupit C. Garat do të zhvillohen në format të ‘Final 8’ me sistem eliminimi dhe ndeshjet e para çerekfinale do të luhen në Rahovec me datë 6 dhe 7 Prill 2021, ndërsa ndeshjet gjysmëfinale, gara për vendin e tretë dhe finalja e madhe e Ligës UNIKE do të zhvillohen me datat 13-14 Prill në Durrës”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e FBK-së.