Mesjava në futbollin kosovar ndizet me derbin klasik mes Trepçës ’89 dhe Prishtinës

Trepca ‘89 – Prishtina, një tjetër klasike e futbollit kosovar na pret në mesjavë më saktësisht të mërkurën pasdite në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë.

Pas startit shumë të mirë që pati nën drejtimin e trajnerit të ri Shpëtim Idrizi, Trepça ’89 barazoi dy herë rresht dhe pësoi disfatën e parë fundjavën që lamë pas nga Ballkani, kështu që mitrovicasit tashmë nuk guxojnë të gabojnë ndaj një rivali të madh por në krizë të rezultateve siç është Prishtina.

Trepca ‘89 po luan bukur dhe këtë e dëshmoi edhe në ndeshjen e fundit kur humbi në Therandë, por gabimet e bëra në fazën difensive po e shqetësojnë trajnerin Idrizi, i cili ka punuar me ekipin e tij që gabimet e njëjta të mos përsëriten ndaj Prishitnës.

Vendasit në këtë ndeshje do të jenë komplet dhe pritet që edhe formacioni të mos ketë shumë ndryshime me atë të kaluarin.

Nga ana tjetër Bylbyl Sokoli e humbi ndeshjen e tij të parë nën drejtmin e Prishtinës në derbi ndaj Llapit. Prishtina po kalon në një krizë rezultatesh, shpesh edhe në lojë, mirëpo ndaj Llapit bardhekaltrit krijuan raste të mira të cilat nuk i kthyen në gol.

Pozita e parafundit në tabelë me një ndeshje më pak të zhvilluar, e detyron Prishtinën të fitojë në Mitrovicë, edhe pse dihet që në atë fushë vështirë merren pikët e plota.

Te kryeqytetasit në ndeshjen e fundit mungoi vetëm Leonit Abazi, që ende nuk dihet se a është riaftësuar, ndërsa të tjerët janë të gatshëm të luajnë. Derbi Trepça ’89 – Prishtina zhvillohet të mërkurën me fillim në orën 16:00.

Në të njëjtin orar zhvillohen edhe dy ndeshjet tjera të Superligës, Llapi – Drita dhe Gjilani – Ballkani.

loading…