Mësimdhënësit pa paga e në krizë të rëndë| Vjosa Osmani krejtësisht indiferente, s’e thotë asnjë fjalë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani si për krejt temat e nxehta nuk është deklaruar asgjë edhe për ndaljen e pagave të mësimdhënësve kosovarë, të cilët qëndruan në grevë një muaj me kërkesën që Qeveria t’ua ndajë nga 100 euro për muaj deri në miratimin e Ligjit të Pagave.

Derisa shoqëria po zien nga qëndrimet pro dhe kundër ndalimit të pagave, ajo që e përfaqëson me Kushtetutë unitetin qytetar as kësaj radhe nuk denjoi t’i thotë nja dy fjalë, për thellimin e mëtejmë të krizës ku rreth 30 mijë mësimdhënës kosovarë në pikun e krizës mbetën duarthatë.

Kjo nuk është hera e parë që Osmani qëndron krejt indiferente ndaj zhvillimeve të rëndësishme në Kosovë.

Edhe kur çështjet qetësohen pak ajo del e flet po, gjithnjë duke marrë anën e qeverisë së Albin Kurtit.

Dje ( e hënë) kur edhe nisi mësimi pas pesë jave grevë, u konfirmua se mësimdhënësit të cilët kanë qenë pjesë e grevës së përgjithshme nuk do të marrin pagat e muajit shtator.

Sipas Qeverisë, pagë do të marrin vetëm ata që kanë mbajtur mësim.

E Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditur se vendimin për mosekzekutim të pagave do ta dërgojnë në gjykatë.

Kjo u konfirmua nga nënkryetari Ymer Ymeri.

Ymeri tha se ky është cenim i të drejtave të punëtorëve.

“Është cenim i të drejtave të punëtorëve por njëkohësisht edhe shkelje e ligjeve ekzistuese në Kosovë në bazë të kërkesës që e kemi bërë, në rast se Qeveria na dërgon një vendim të marrë nga kushdoqoftë, atëherë ne do të nisim procedurat gjyqësore”, tha Ymeri.

Numri dy i SBASHK-ut theksoi se vendimi për mosekzekutimin e pagave është tentim i Ministrisë së Financave që ta shkatërrojë anëtarësinë e SBASHK-ut.

“Veprimi për mos me i ekzekutu pagat për mësimdhënësit është një tentim i Ministrisë së Financave për ta shkatërruar anëtarësinë e SBASHK-ut” – theksoi ai për Klankosova.tv.

Në anë tjetër, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka bërë të ditur se do të parashihet edhe kompensimi i orëve të humbura, në bazë të kalendarit të ri./ Demokracia.com/