Vizita e ish-kancelarit gjerman Gerhard Schröder (82) te presidenti rus Vladimir Putin me rastin e datëlindjes së 74-të të këtij të fundit, ka shkaktuar reagime të ashpra nga qeveria aktuale.

Kancelari gjerman Friedrich Merz është “thellësisht i tronditur”, deklaroi zëdhënësi i tij, raporton KosovaPress.

“Putin mban përgjegjësinë e vetme për luftën në Ukrainë. Urdhrat e tij po shkaktojnë vuajtje të mëdha, viktima civile, ndarje familjesh, si dhe të vdekur e të plagosur,” tha zëdhënësi duke shtuar se Merz “e konsideron krejtësisht imorale pjesëmarrjen e zotit Schröder në një festë të tillë”.

Schröder, i cili drejtoi qeverinë gjermane nga viti 1998 deri në 2005, është përballur prej kohësh me kritika në Gjermani dhe jashtë saj për shkak të lidhjeve të tij me sektorin rus të biznesit dhe me Putin. Ai nuk i ndërpreu këto marrëdhënie as pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 dhe sanksioneve pasuese perëndimore.

Gjatë 20 vjetëve të fundit, Schröder ka mbajtur disa poste të larta në kompani ruse. Menjëherë pas largimit nga posti i kancelarit, ai u bë kryetar i komitetit të aksionarëve për “Nord Stream”, një projekt gazsjellësi në Detin Baltik i drejtuar nga Gazpromi, të cilin Schröder e kishte mbështetur fuqimisht gjatë kohës që ishte në detyrë.

Më vonë, ai mbajti gjithashtu role drejtuese te prodhuesi rus i naftës, Rosneft. Javën e kaluar, Schröder iu bashkua bordit mbikëqyrës të zinxhirit rus të shitjes me pakicë “Hyperglobus”. Kompania është degë e grupit gjerman “Globus Holding” dhe menaxhon më shumë se 20 supermarkete në Rusi.

Në fillim të këtij viti, Putin deklaroi se do të preferonte t’i negocionte me Schröder marrëveshjet e reja të sigurisë në Evropë. Bashkimi Evropian dhe qeveria e Merz e hodhën menjëherë poshtë këtë ide.