Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje pritet të intervistojë sot pesë dëshmitarë, në mesin e tyre edhe kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Mbledhja e Komisionit Hetimor do të nisë në orën 08:30, ndërsa intervistimi i dëshmitarëve pritet të fillojë nga ora 09:30.
Dëshmitarët që pritet të intervistohen janë Toska Gega, menaxhere e rastit në Qendrën për Punë Sociale (QPS) në Pejë; Durim Kelmendi, udhëheqës në QPS; Shpat Morina, zyrtar i QPS-së; Shpresa Lukaj, drejtuese e QPS-së në Pejë; si dhe Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës.
Komisioni Hetimor Parlamentar kryesohet nga Burim Ramadani i AAK-së, ndërsa zëvendëskryesues është Adnan Rrustemi i LVV-së.
Anëtarë të Komisionit nga LVV-ja janë Armend Baloku, Arijeta Rexhepi, Osman Musliu dhe Adelinë Tërshani; nga PDK-ja, Besa Kabashi-Ramaj dhe Eman Rrahmani; ndërsa nga LDK-ja, Doarsa Kica-Xhelili.
Komunitetet përfaqësohen nga Jovana Radosavljeviq dhe Emilija Rexhepi.







