Mero Baze me një mesazh direkt: Kosova nuk ka nevojë për një hero antiperëndimor

Opinionisti Mero Baze në një editorial ka shkruar për tensionet në veri të Kosovës.

Ai ka thënë se Kosova nuk ka nevojë për një hero antiperëndimor, “por për dikë që është realisht perëndimor në mënyrën si qeverisë Kosovën dhe ruan aleancën me perëndimin për të ruajtur Kosovën. Jo karrigen e vet”.

Sipas tij, zgjuarsia e një lideri, në këtë rast kryeministrit të Kosovës është t’i shmangë betejat që kanë çmim të lartë dhe nuk janë prioritet i Kosovës

“Bota sot ka prioritet paqen në Ukrainë në fillim të një dimri të egër dhe flet dita ditës për rrezik bërthamor. Merreni me mend sa nerva dhe kohë mund të ketë presidenti i SHBA apo ai i Bashkimit Evropian që një kryeministër i Kosovës t’i shpjegojë me detaje punën e targave në veri, duke i shpjeguar se ato me RKS janë të vjetra e këto me harta të Kosovës janë të reja. As 2 sekonda nuk i bind dot t’i dëgjosh”, shkruan ai.

Tutje Baze thotë se ekziston rreziku që ajo që mbetet nga beteja e Kurtit, të jetë konflikti i tij me perëndimin në këtë çështje dhe ajo që mbetet nga retorika e Serbisë do të jenë të drejtat themelore të njeriut të serbëve.

“Ndaj ekziston rreziku që ajo që mbetet nga beteja e Kurtit, të jetë konflikti i tij me perëndimin në këtë çështje dhe ajo që mbetet nga retorika e Serbisë do të jenë të drejtat themelore të njeriut të serbëve. Nëse vendoset çështja në këtë kontekst, Albin Kurti e ka të humbur dhe veriun dhe betejën e tij për Kosovën. Nga ana tjetër, nëse të gjithë këtë e bën që të viktimizohet dhe të largohet nga pushteti me ndjesinë e “heroit” që nuk ju përkul presionit të Perëndimit për të drejtat e serbëve, ngaqë nuk ka guximin e duhur për tu përballur me këtë problem, brenda standardeve perëndimore do të ishte dhe më e rëndë”.

“Albin Kurti tani gjendet para rrezikut të perceptimit si “lider i fortë” që kërkon të diktojë axhendën e tij politike, duke përdorur konfliktin me serbët në veri të Kosovës duke dëshmuar një qasje antiperëndimore. Ai po shpërfill vërejtjet, pastaj paralajmërimet dhe më në fund nervozizmin e Bashkimit Evropian dhe SHBA për këtë çështje, duke humbur prioritetet e politikës së tij qeverisëse. Nëse ai klasifikohet si antiperëndimor, dhe izolohet nga shumë faktorët perëndimorë në këtë betejë, ekziston rreziku, që qasja e tij antiperëndimore të paraqitet si mungesë vlerash perëndimore në të drejtat e serbëve në veri, ç’ka nuk është e vërtetë. Por mund të jetë një betejë e humbur keq, dhe shumë rëndë, për një arsye që nuk do t’ia vlente. Chris Hill, ambasadori i SHBA në Beograd, është njeriu që ka negociuar së paku për dy vite, 1998 -1999, gjithë krizën mes Kosovës dhe Serbisë, që u kthye në problem ndërkombëtar. Nuk ka lënë fshat të Kosovës pa shkuar, dhe ecejake nga zyra e Ibrahim Rugovës tek ajo e Slobodan Milosheviçit. Ai e di mirë se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe për Kosovën. Dhe kur ai është nervoz me Kosovën, është pak nervoz dhe me historinë e jetës së tij”, ka shkruar tutje ai. /Demokracia.com/