“Mercenarë nga Kosova të vrarë në Ukrainë”, asnjë reagim nga MPJD për pretendimet e Rusisë

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka njoftuar se disa mercenarë nga shtetet e ndryshme që kanë shkuar që të luftojnë në Ukrainë janë vrarë.

Pas një dështimi të Ushtrisë së Federatës së Rusisë në Ukrainë, propaganda e Kremlinit po bën të pamundurën që të lëshojë gënjeshtrën e radhës për numrin e mercenarëve të angazhuar nga gjithë bota, shkruan Demokracia.com.

Sipas raportit të publikuar nga ministria ruse, nga Shqipëria dhe Kosova kanë shkuar për të luftuar për Ukrainën në total 306 persona. Nga këta, thotë njoftimi, 103 kanë mbetur të vdekur në luftime dhe 100 të tjera janë larguar.

Në mesin e të vrarëve, sipas propagandës ruse, janë 61 mercenarë nga Kosova dhe 42 nga Shqipëria.

Në raport përfshihet edhe Kroacia, ku thuhet se nga ky shtet kanë shkruar 204 mercenar dhe janë vrarë 74 prej tyre.

Lidhur me këto pretendime ka reaguar Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka ftuar për sqarime dhe në shenjë proteste Ambasadorin Rus në Tiranë, Mikhail Afanasiev.

Për pretendimet e Rusisë foli sot edhe ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grliq Radman, i cili tha: “Na duket e pabesueshme që kaq shumë qytetarë tanë do të vdisnin pa dijeninë tonë”.

Ndërsa nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës nuk ka pasur ndonjë reagim apo deklaratë lidhur me këto pretendime.

Një reagim i vonshëm nga MPJD ka ardhur edhe gjatë fillimit të luftës në Ukrainë, ku Rusia pretendonte se ka informacione që persona nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina janë vendosur në rajonin e Donbas të Ukrainës.