Mentor Shala sot e ka përfunduar mandantin e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së. Në vend të tij si ushtrues detyre do të jetë Mufail Limani.
Shala në një postim në Facebook ka thënë se gjatë kësaj periudhe ai dhe stafi menaxhues janë përballur me shumë sfida e vështirësi prej më të ndryshmeve.
“Nga të gjitha anët na shanë, na sulmuan, na ofenduan, na shantazhuan, e s’lan gurë pa e lëkund vetëm për me na ba dëm! Por asnjëherë nuk ia arritën! Nuk ia arritën sepse nuk i lejuam”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë:
Sot përfundova mandatin e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së!
Gjatë periudhës sime si menaxher kryesor u përballa së bashku me RTK-në me shumë sfida e vështirësi prej më të ndryshmeve. Nga të gjitha anët na shanë, na sulmuan, na ofenduan, na shantazhuan, e s’lan gurë pa e lëkund vetëm për me na ba dëm! Por asnjëherë nuk ia arritën! Nuk ia arritën sepse nuk i lejuam! Patëm guxim të ballafaqohemi me secilën situatë dhe gjithmonë dolëm fitimtarë, sepse ishim të drejtë! Asnjëherë nuk e shfrytëzuam mediumin për hakmarrje, përkundrazi e hapëm derën për të gjithë! Treguam se më të vërtetë jemi Transmetues Publik i Republikës së Kosovës dhe i gjithë qytetarëve të saj pa dallim etnie, religjioni, race, etj.. Pa pare krijuam 4 kanale televizive, krijuam sistemet më të avancuara të funksionimit të RTK-së që e tërë bota po na ka lakmi (por jo edhe tanët), krijuam dhe prodhuam program mjaft atraktivë dhe me interes për publikun tonë dhe më gjerë, zhvilluam mediat online (të ardhmen) ku arritëm të bëhemi lider në rajon (youtube), u vlerësuam me mirënjohje nga youtube për suksesin e shpejt të treguar, gazetarët tanë morën shumë shpërblime nëpër botë për punën e tyre profesionale, IT e RTK-së thirren nëpër simpoziume e konferenca ndërkombëtare t’u mbajnë ligjeratë vendeve të zhvilluara se si krijohen sistemet e avancuara të cilat i krijuan vet pa asnjë cent, filluam digjitalizimin e arkivës së vjetër vizuale pa asnjë ndihmë nga askush duke kryer kështu një punë që shteti duhet ta kryej, digjitalizuam 5 studiot e RTK-së, u bëmë shembull i suksesit dhe profesionalizmit në Unionin Evropian të Transmetuesve të cilët hapën Akademinë e EBU në RTK e jo në vendet tjera, hartuam projektet për digjitalizimin e rrjetit transmetues, produksionit dhe arkivës, e përfunduam edhe projektin ideor të objektit të ri të RTK-së, bëmë edhe shumë e shumë punë të tjera që RTK-së ia shtuan fuqinë e një transmetuesi të vërtetë publik. Për gjithë këto vite të menaxhimit tim dhe këtyre të arriturave u përballëm me vështirësi shumë të mëdha financiare dhe gjithmonë ia arritëm që t’i përmbyllim vitet me bilanc pozitiv. Dhe për të gjitha këto që i përmenda falenderimi i shkon stafit shumë kreativ dhe profesional të RTK-së të cilët pavarësisht sfidave të mëdha ia arritën gjithmonë qëllimit.
Më vjen keq që pavarësisht angazhimeve shumë të mëdha që kam pasur personalisht por edhe stafi menaxhues i RTK-së nuk arritëm që ta rregullojmë çështjen e financimit afatgjatë dhe të qëndrueshëm të RTK-së. Por ky nuk është faji ynë, është faji i atyre që bëjnë politikë të cilët për pazaret e tyre politike e lanë RTK që 5 vite pa buxhet dhe pa ligj. RTK ka mbijetuar me ndihma (subvencione) që janë ndarë nga Qeveria. Jemi varur nga disponimi politik sa mjete do t’i ndahen RTK-së. Për keqardhje! Politika, RTK-në e ka trajtuar keq! Vazhdon ta trajtojë keq! Në vend se ta zgjidhin çështjen e financimit, na i dërgojnë hetuesinë, në vend se ta zgjidhin çështjen e pronës na quajnë kriminel. Por gjithmonë dolëm të pastër, sepse punuam drejt dhe me profesionalizëm dhe kështu u përballëm me gjithë këto sulme politike që i patëm dhe gjithmonë fituam. RTK-së ia ndërtuam binarët dhe s’ka kush që mund ta ndal më në rrugëtimin e saj si shembull i një Transmetuesi të vërtetë Publik që bota demokratike po na merr lakmi. Po e përdor një thënie të ish Drejtorit Gjeneral të RTK-së, të ndjerit Agim Zatriqi: “Ne kemi vetem një aleat, PUBLIKUN”!
I uroj Drejtorit të Përgjithshëm Mufail Limanit, i cili do ta ushtrojë këtë detyrë, sukese dhe punë të mbarë në udhëheqjen e RTK-së. Ishim bashk me të në tërë këtë rrugëtim të RTK-së që nga viti 2000 dhe e falenderoj shumë për bashkëpunimin e deritashëm. Mufa është një profesionist i vërtetë, shumë i guximshëm dhe një menaxher shumë i vendosur, prandaj edhe suksesi nuk do të mungojë!
RTK do të jetojë sa të ketë jetë shteti i Kosovës!







