Mbrojtësi i Manchester Cityt, Benjamin Mendy insiston se ai është njëri prej mbrojtësve të majtë më të mirë në botë, pavarësisht problemeve që ka pasur me lëndimet në vazhdimësi, me francezin që ka zhvilluar vetëm 9 paraqitje këtë sezon në Premier League.

Edicionin e kaluar Mendy ishte paraqitur në vetëm 9 ndeshje, ndërsa trajneri i “Citizens”, Pep Guardiola pati kërkuar nga ish anëtari i Monacos që të gjente maksimumin e tij sa i përket përgatitjes fizike në mënyrë që t’i shmang lëndimet.

Mendy është i mendimit se bën pjesë në elitën e mbrojtësve më të mirë të krahut në botë, kurse tregoi se ka një raport të shëndetshëm me Guardiolën përkundër kritikave të trajnerit spanjoll.

“Nëse nuk jam më i miri në botë, të paktën nuk jam larg nga ai nivel. Me Guardiolën shkon gjithçka mirë, ne kemi një raport të mirë”, tha Mendy.

Pas humbjes shokuese ndaj Crystal Palacet në shtëpi, Manchester City ndodhet 4 pikë prapa Liverpoolit, gjersa kampionët në fuqi do të synojnë të rikthehen te fitorja në fundjavë ndaj Leicesterit në udhëtim.

Manchester City në fillim të vitit të ardhshëm zhvillon ndoshta ndeshjen vendimtare me Liverpoolin në “Etihad”, me sfidën e parë që pati përfunduar 0-0.