Anthony Joshua

“Mendoj se të gjithë duan ta shohin këtë përballje” – Joshua nuk e përjashton mundësinë e një dueli me Wilder

Anthony Joshua e ka lënë derën e hapur për një luftë të mundshme me Deontay Wilder, përkundër humbjes ‘shokuese’ të amerikanit ndaj Joseph Parker.

Wilder dhe Joshua luftuan që të dy në kartën e “Day of Reckoning” në Arabinë Saudite mbrëmjen e së shtunës.

Plani ishte që dy ish-kampionët e peshave të rënda të përballeshin me njëri-tjetrin përmes luftimeve të tyre respektive ndaj Joseph Parker dhe Otto Wallin, duke bërë që të ndesheshin në një përballje për titullin kampion bote në peshat e rënda.

Por, këto plane tashmë kanë marrë një goditje “të rëndë”, pasi Parker shkaktoi befasinë duke e mposhtur Wilderin pas vendimit unanim të gjyqtarëve.

Joshua e realizoi premtimin e bërë sipas marrëveshjes, duke e mposhtur Otto Wallin pas pesë raundeve, pasi ekipi i boksierit suedez nuk e lejoi të dal më në ring si pasojë e goditjeve të shumta që kishte marrë në fytyrë.

“Dëgjova që ai ka humbur, kështu që çfarë tani? Ai do të rikthehet. Por kjo tregon se ka një dallim të madh në këtë biznes”, ka thënë Joshua për TNT Sports kur u pyet për humbjen e Wilder.

“Askush nuk po vrapon, nuk po largohet nga askush. Unë duhet të përqendrohem tek ky njeri. Por gjithçka që ka thënë Deontay për mua, unë mund ta shqyej atë tani”, u shpreh ai.

Wilder la të kuptohet se ai mund të pensionohet nga karriera profesionale si boksier pas humbjes ndaj Parker.

“Do të shohim se çfarë do të ndodh, na ka mbetur edhe pak deri në fund, por unë bëra një punë të mirë sa i përket menaxhimit të parave të mia”, ka thënë fillimisht Wilder.

“Unë jam një luftëtar i lumtur. Unë do të rikthehem dhe në rast se nuk e bëj këtë, atëherë ka qenë një kënaqësi”, përfundoi ai.